Shqiptarët kursyen 772 milionë euro në vitin 2020. Kryeson Tirana
Gjatë vitit të kaluar, totali i depozitave në sektorin bankar në vendin tonë ka prekur një rekord të ri historik.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt të 2020-s, tregojnë se totali i depozitave në sektorin bankar fiksohej në 1.29 trilionë lekë, çka përkthehet në rreth 10.5 miliardë euro.
Duke bërë një krahasim me tremujorin e 4-tët të vitit paraardhës, dalim në përfundimin se, gjatë 2020-s, vitit të pandemisë, shqiptarët kanë rritur me rreth 772 milionë euro depozitat e tyre. Rritja vjetore fiksohet në 7.9%, çka përkthehet në rritjen më të madhe të 4 viteve të fundit.
Po t’i shohim të dhënat sipas rretheve, rezulton se banorët e kryeqytetit janë ata që kanë kursyer më shumë, duke rritur me 11.8% depozitat e tyre. Me diferencë të ndjeshme ndjekin rrethet e tjera.
Në vend të dytë dhe të tretë kemi durrsakët dhe elbasanllinjtë, të cilët kanë rritur me 5.4% kursimet e tyre në banka. Lezha vijon renditjen, me një rritje të depozitave me 4.6% krahasuar me vitin paraardhës.
Fieri dhe Vlora ndërkohë regjistrojnë një rritje me 3.8% dhe 3.7% respektivisht. Ata që kanë kursyer më pak nga pandemia ndërkohë duket të jenë shkodranët dhe korçarët, me vetëm 1.8% dhe 1.6% rritje të depozitave.
Në llogaritje është përfshirë totali i depozitave, pra jo i ndarë mes institucioneve, bizneseve apo individëve, ndërkohë që këta të fundit zënë peshën më të madhe.
Vetëm për individët ndërkohë, tabela mbetet thuajse e njëjtë, me Tiranën dhe Durrësin në vend të parë, por me Lezhën që i ka marrë një vend në renditje Elbasanit, Vlora Fierit, si dhe Korça Shkodrës.
Sorry, the comment form is closed at this time.