Shqipëri-Kosovë, USAID mbështet bashkimin e tregut të energjisë

USAID ka mbështetur Shqipërinë dhe Kosovën, teksa këto dy vende shënojnë një tjetër arritje të rëndësishme drejt bashkimit të tregut të energjisë elektrike.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasada e SHBA-së në Tiranë ku thekson se, ky treg i përbashkët është një mjet i fuqishëm për të zgjidhur sfidat e energjisë që po përballet rajoni.

“USAID në Shqipëri me krenari mbështet Shqipërinë dhe Kosovën teksa këto dy vende shënojnë një tjetër arritje të rëndësishme drejt bashkimit të tregut të energjisë elektrike. Një treg i përbashkët i energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës do të jetë një mjet i fuqishëm për të zgjidhur sfidat e energjisë me të cilat po përballet rajoni, individët dhe bizneset”, thekson në njoftimin e saj Ambasada.

Kryetarët e Enteve Rregullatore ERE, ZRRE, si dhe Administratorët e të dy Operatorëve të Sistemit të Transmetimit OST dhe KOSTT, nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen mbi bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo marrëveshje do të jetë bazë për marrëveshje të tjera të njëpasnjëshme, kushte dhe metodologji që do të miratohen për vënien në jetë të tregut të përbashkët energjetik nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.