SHIFRAT/ Paga mesatare rritet në janar-mars

Ndonëse treguesit e punësimit nuk ishin optimtimistë, me papunësinë që arriti në nivelet e periudhës së karantinës, për të punësuarit ka lajme më të mira.

Në tremujorin e parë 2021, pagat në pothuajse të gjitha aktivitetet është në rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ajo shënon rënie vetëm në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, që në fakt janë sektori më i paguar në vend.

Sipas INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2021 është 56.019 lekë, duke u rritur me 5,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar Gjatë tremujorit të parë 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 81,2% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkimi është 37,1% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2021 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 8,3 %, ndërsa Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë një ulje prej 3,3%.

Aktiviteti ekonomik më i paguar është ai financiar dhe i sigurimit, me 101.5 mijë lekë në muaj. Pas rritjes së fortë në tremujorin e fundit 2020, e ndikuar dhe nga shpërblimet e fundvitit, në tremujorin e parë 2021, paga për sektorin bankar dhe të sigurimit ishte 3.3% më e ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Aktiviteti i dytë më i paguar është ai i informacionit dhe komunikacionit, me 80.7 mijë lekë në muaj, me rritje 2.9% në krahasim me janar-marsin e një viti më parë.

Më pas renditet administrata publike, që në periudhën e krizës pandemike ka pasur dhe rritjen më të lartë të pagave, e ndikuar nga shëndetësia dhe arsimi. Pagat për mjekët u rritën deri në 40%, pas vlerësimit që iu bë sektorin shëndetësor me fillimin e pandemisë. Paga mesatare në administratë arriti në 68.4 mijë lekë, nga 63.1 mijë lekë në janar-mars 2020, duke shënuar rritjen më të lartë edhe në vlerë.

Mungesa e fuqisë punëtore ka ndikuar në rritjen e pagave me bazë vjetore dhe në sektorë të tillë si industria (+7%), tregtia transporti e akomodimi (+6.3%). Edhe në bujqësi pagat janë rritur me 4.1%, por mbeten më të ulëtat nga gjithë sektorët e tjerë, me 35.2 mijë lekë në muaj.

Sipas INSTAT, Gjatë tremujorit të parë 2021, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 72,8% më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 38,8% më e ulët.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të parë 2021, paga për grup-profesionin e Punëtorëve (Profesione elementare) ka rritjen më të madhe prej 7,8%, ndërsa për grup-profesionin e Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë ka një rritje më të vogël, prej 2,2%./ Monitor

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.