SHIFRAT/ Gjysma e të punësuarve marrin më pak se 320 euro në muaj

Rreth 50% e të punësuarve me pagë në Shqipëri marrin më pak se 40 mijë lekë (rreth 320 euro në muaj), sipas të dhënave të INSTAT.

Ndërkohë, rritja e pagës minimale me 15% në fillim të këtij viti, nga 26,000 lekë në 30, 000 lekë dha efekt rokadë edhe për nivelet e tjera të pagave.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT që referohen listë- pagesave në Tatime tregojnë se kategoritë e që paguajnë sigurime me paga të larta janë rritur në tremujorin e parë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatë janar-mars 2021 nga totali i të punësuarve, 34 .3 për qind e tyre kanë deklaruar në tatime pagë zyrtare prej 30 mijë lekë. Një vit më parë në këtë kategori ishin të deklaruar 26.4 % e totalit te të punësuarve. Shtimi i numrit të punonjësve në kufirin e pagës minimale erdhi për shkak të rritjes që ndodhi në fillim të vitit, nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

Rrjedhimisht rritje shënoi edhe numri i të punësuarve që paguhen me paga 30,001 -40,000 lekë, me gati 2 pikë përqindje në raport me fillimin e vitit 2021.

Rritja e pagës minimale, sipas bizneseve ka tërhequr në shumë raste edhe nivelet e tjera e tjera, në mënyrë që të ruhen diferencat mes kategorive të ndryshme të të punësuarve.

Rritjen me të madhe në numër e shënoi kategoria e të punësuarve me 60,000-95,000 lekë. Kjo kategori zuri 22.4% të totalit te të punësuarve në tre-mujorin e parë, me rritje vjetore 3.2 pikë përqindje. Gjithashtu në totalin e punësimit u rrite më tej pesha e punonjësve që paguhen mbi 95 mijë lekë.

Në të kundërt kategoria rreth pagës mesatare shënoi ulje. Punonjësit me paga 50,001-60,000 shënuan ule me 1.1 % në totalin e punësimit në raport me tremujorin e parë. Ulja erdhi si rezultat i kalimit në një kategori më të lartë të pagave.

Rritja e pagës minimale për efekt të sigurimeve shoqërore u aplikua në mesin e krizës pandemike, e cila efektet negative i shtriu më së shumti në tregun e punës. Bizneset në sektorin fason u ankuan se rritja u bë pa konsultim.

Mirëpo Shqipëri në të gjithë këto vite ka zhvilluar një politike shtrënguese në drejtim të pagave. Ndryshe nga të gjitha vendet në zhvillim të Rajonit të Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, në Shqipëri pagat janë rritur më pak se produktiviteti në ekonomi.

Sipas një publikimit të fundit të Eurostat, Shqipëria ka pagën orare mesatare më të ulëtën në Europë, me vetëm 2.3 euro, nga 3.41 euro në Serbi dhe 15 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian. (të dhënat e tjera rajonale tregojnë se dhe Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë paga mesatare dhe ato sipas profesioneve më të larta sesa Shqipëria- shënim i Monitor).

Menaxherët në Shqipëri paguhen 4.45 euro për orë, nga 28.6 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Profesionistët në Shqipëri paguhen mesatarisht 3.12 euro/orë, në raport me 21.36 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian./ Monitor

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.