Rimëkëmbja ekonomike pas tërmetit/ Banka Botërore i jep 80 mln dollarë Shqipërisë
Banka Botërore ka miratuar një kredi me vlerë 80 milionë dollarë, e cila do të shërbejë si mbështetje për ekonominë dhe buxhetin e Shqipërisë pas situatës që ka krijuar tërmeti dhe pandemia e COVID-19.
Projekti për Financimin e Politikave Zhvillimore ka si qëllim reformat afatgjata për ndihmën ndaj bizneseve, me synim hapjen e vendeve të punës, dhe jo masat emergjente që janë marrë në kushtet e pandemisë.
“Konsolidimi i politikave dhe institucioneve për qëndrueshmëri fiskale dhe zhvillim ekonomik është element kyç për të siguruar rimëkëmbjen e fuqishme të ekonomisë dhe rindërtim më të mirë menjëherë pasi të hiqen gradualisht kufizimet në jetën ekonomike që kanë si qëllim ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.
Projekti shtrihet edhe në forcimin e kapaciteteve dhe transparencës së administratës tatimore, monitorimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat, dhe miratimin e një kuadri ligjor për zgjidhjen jashtë gjyqësore të kredive me probleme.
Për këtë vit Banka Botërore projekton një tkurrje të ekonomisë me 8.4% , ndërsa shprehet se pandemia ka goditur të gjithë sektorët e saj dhe se rritja vitin e ardhshëm do të jetë nivelin 5%. Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria do të kenë rënien më të madhe ekonomike në rajon.
Sorry, the comment form is closed at this time.