Raporti i BSH/ Rënia e ndjeshme e kreditimit në 2021, problem ulja e konsumit

Banka e Shqipërisë jep alarmin për rënie të ndjeshme të ekonomisë në 2021.

Në raportin e publikuar së fundmi BSH tregon se, në tremujorin e katërt të 2020 bankat në vend kanë reduktuar numrin e huadhënieve për bizneset, familjet dhe individët. E gjithë kjo ka ardhur për shkak se bankat vërejnë pamundësi nga bizneset për të shlyer të paktën kreditë e vjetra, prandaj nuk do të japin kredi të reja qoftë edhe për arsye rikuperimi.

Sipas analizës së BSH, tkurrja e kredidhënieve rrezikon kreditimin e ekonomisë, një nga indikatorët kryesorë për të rinisur rikuperimin. “Rënia e kërkesës për kredi, prej pesë tremujorësh me radhë, në këndvështrimin e bankave, është udhëhequr nga rreziku më i lartë i perceptuar për situatën makroekonomike në vend e perspektivën për të. Bankat shtrënguan standardet e kreditimit ndaj bizneseve në tremujorin e katërt të vitit 2020. Zgjatja e pandemisë globale dhe e pasigurive që ajo përcjell në rimëkëmbjen ekonomike, ka rritur shqetësimet e bankave lidhur me aftësinë paguese apo gjendjen aktuale të bizneseve e perspektivën e tyre në të ardhmen. Këto zhvillime i kanë bërë bankat të jenë më të kujdesshme në terma të tolerancës ndaj rrezikut në miratimin e kredive të reja për bizneset. Këta faktorë kanë sjellë vlerën më të lartë negative të balancës për standardet e kreditimit për bizneset”,- thuhet në raport.

Bankat shprehen skeptike jo vetëm ndaj bizneseve, por edhe në dhënien e kredive për individët. Sipas BSH, në tremujorin e tretë ata kanë shfaqur një rënie të lartë të aftësisë paguese dhe në shqyrtimet e kryera tregohet se edhe për 2021 individët janë pesimistë për borxhin që kanë ndaj bankave. Madje, bankat që tani ndihen të rrezikuara për shkak të tolerimeve që kanë bërë ndaj individëve sa i përket afatit për shlyerjen e kredive.

Efektet e konsumit

Niveli i konsumit është një nga treguesit i cili parqet situatën ekonomike në vend dhe në 2020 ky tregues pësoi rënie të ndjeshme.
Sipas BSH, për aq kohë sa bizneset dhe individët nuk kanë aftësi paguese dhe i druhen pandemisë, rënia e konsumit do të vijojë edhe për 2021. Ndërsa evidentohet se rënia e konsumit është e qartë që vjen nga dobësimi i të ardhurave dhe ulja e remitancave.

Ndërsa bëhet e ditur se kjo situatë do të vijojë edhe për tre vitet në vazhdim, për shkak të pasigurisë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.