“Dorëzohet” qeveria: Becchetti na ka marrë parà në 3 shtete

Çështja e humbur nga Shqipëria përballë biznesmenit Francesco Becchetti në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar mund të cenojë edhe besueshmërinë e Shqipërisë në tregjet financiare ndërkombëtare.

Ndër të tjera, qeveria nuk përjashton që Becchetti të mund të bllokojë edhe pagesat e lidhura me Eurobondet apo me instrumente të tjera të huamarrjes së jashtme.

Në prospektin e emetimit të Eurobondit që u është paraqitur investitorëve ndërkombëtarë, qeveria është detyruar të bëjë një shënim të veçantë për këtë çështje.

Shqipëria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anuluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l., dhe katër shtetasve italianë: Francesco Becchetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti.

Sipas qeverisë, shuma që duhet t’u paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat. Në prospekt thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Holandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Becchetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë.

“Si me çdo çështje ligjore, nuk ka asnjë garanci se qeveria do të jetë e suksesshme në kontestimin e procedurave të mbledhjes së detyrimit dhe shuma e përfituar nga pretendentët e mund të jetë edhe më e lartë se ajo që përmendet në dokument. Nëse një vendim i formës së prerë për ekzekutimin e detyrimeve, është nxjerrë ose do të nxirret në ndonjë nga juridiksionet e përmendura, (ose në ndonjë juridiksion tjetër) dhe nëse një vendim i tillë ekzekutohet më pas, ai mund të ketë një efekt negativ në pozicionin financiar të qeverisë dhe të ndikojë negativisht në të ardhmen në vlerën e tregut të Eurobondeve.

Edhe pse qeveria synon të kundërshtojë me forcë çdo procedurë të tillë, është e mundur që paditësit mund të kërkojnë gjithashtu të sekuestrojnë ose të fitojnë të drejta mbi të ardhurat e transaksioneve të Shqipërisë në tregjet e kapitalit, duke përfshirë të ardhurat nga Eurobondet, pagesat e planifikuara ose borxhet e tjera të papaguara të jashtme që mund të ndikojnë në procesin e shlyerjes së Eurobondit ose të kenë një ndikim negativ material në çmimin ose tregtimin e Eurobondeve të Shqipërisë në tregun sekondar”, thuhet në prospektin e emetimit të Eurobondeve.

Qeveria shqiptare ka hezituar vazhdimisht të bëjë transparencë publike për këtë çështje dhe në përgjithësi informacionet kanë dalë nga vetë Becchetti ose nga burime të tjera. Por, në prospektin e Eurobondit, kjo çështje është trajtuar në mënyrë specifike, për të shmangur pasoja të mundshme ligjore dhe reputacionale në të ardhmen.

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit ‘Agon Channel” dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Becchetti i kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale të ndjekur nga “Agon Channel” ndaj qeverisë shqiptare. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në të dy shkallët e gjykimit. Sipas deklaratave të tij në prill të këtij viti, shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin në rreth 150 milionë euro. /Monitor

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.