Qëndrueshmëri fiskale/”Ligjet” miratojnë marrëveshjen me BERZH
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e Kryetarit Ulsi Manja shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan për zhvillimin e politikës për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen në Shqipëri”, i cili u relatua nga deputeti Bashkim Fino.
Të ftuar për të prezantuar dhe dhënë sqarime rreth nismës ligjore ishte Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë.
Zëvendësministrja Xhemali sqaroi se projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për një hua prej 80 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren për zhvillimin e politikave për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen ekonomike në Shqipëri.
Xhemali theksoi se huaja e synuar është një mbështetje buxhetore që Banka Botërore jep për vendin tonë, në saj të disa angazhimeve të caktuara që kanë ndërmarrë autoritetet shqiptare.
“Synimi i kësaj huaje për zhvillimin e politikave është të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në realizimin e 3 objektivave: forcimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike; përmirësimin e financave për rritje dhe rimëkëmbje; mbështetjen për mundësitë sektoriale kryesore për zhvillim të qëndrueshëm”, sqaroi Xhemali.
Deputeti Bashkim Fino në cilësinë e relatorit vlerësoi se projektligji është hartuar në mbështetje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe legjislacionit në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare.
Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Sorry, the comment form is closed at this time.