Përmbarimi, miratohet metodologjia si do përcaktohet vlera e sendeve të paluajtshme
Vlera e sendeve të paluajtshme, atyre të lundrimit apo të fluturimit, që duhet të ekzekutohen nga përmbarimi, pas një vendimi gjykate apo si efekt i titujve ekzekutivë, do të përcaktohet me një metodologji të re.
Ministria e Drejtësisë publikoi detajet e reja, duke sqaruar se qëllimi i kësaj metodologjie është garantimi i rregullave dhe mënyrave për vlerësimin e sendit të paluajtshëm, mjetit të lundrimit apo mjetit të fluturimit, duke përcaktuar në këtë mënyrë bazën për përcaktimin e çmimit eventual të shitjes, për efekt të procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm të vendimit të gjykatës, apo të titujve të tjerë ekzekutivë.
Sipas metodologjisë, përmbaruesi gjyqësor cakton një ekspert të licencuar të fushës për vlerësimin e sendeve të sekuestruara nga regjistri elektronik i personave të licencuar, i cili administrohet dhe publikohet nga Ministria e Drejtësisë. Në rast se për vlerësimin e mjeteve të lundrimit dhe të fluturimit, ligji nuk parashikon licencimin e ekspertëve, përmbaruesi gjyqësor, vetëm për nevoja të ekzekutimit, zgjedh persona që kanë njohuri në fusha të veçanta.
Për përcaktimin e vlerës së sendit të paluajtshëm mund të përdoren disa metoda të krahasimit, si ajo e krahasimit të drejtpërdrejtë, metoda e investimit (metoda e kapitalizimit të të ardhurave të investitorit), metoda e fitimit, metoda e kostos së zëvendësimit të amortizuar, metoda e zhvillimit.
Në raste specifike, eksperti mund të gjykojë që të vlerësohen metoda të kombinuara për përcaktimin e vlerës së sendit, që do të thotë më shumë se një metodë.
Sipas metodologjisë, së pari bëhet inspektimi i sendit ku eksperti i fushës deklaron në raportin e vlerësimit se ka kryer personalisht inspektimin e sendit të paluajtshëm, të mjetit të lundrimit ose të fluturimit, si dhe konfirmon se ka kryer një inspektim të plotë të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të sendit. Nëse çmohet e nevojshme nga eksperti, palët mund të jenë pjesë e inspektimi.
Dokumentacioni, si vlerësohen shtesat pa leje, makineritë dhe pajisjet
Në nenin 18 të metodologjisë përcaktohet se ekspertit, bashkë me vendimin e përmbaruesit gjyqësor për caktimin e tij, i vendosen në dispozicion dokumentet e mëposhtme:
a) Për pasuritë e paluajtshme: i. certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë dhe harta treguese e regjistrimit, në momentin e vendosjes së sekuestros;
ii. planvendosja dhe planimetria e regjistrimit të sendit në regjistrat publikë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës me numrin përkatës të referencës që përbëjnë edhe dokumentet teknike të pronës;
iii. çdo dokument tjetër teknik që çmohet i nevojshëm nga eksperti për vlerësimin e sendit.
b) Për mjetet e lundrimit e të fluturimit:
i. dokumenti i regjistrimit në regjistrat publikë përkatës; ii. dokumenti nga regjistri i barrës siguruese;
iii. dokumente të blerjes së tyre;
iv. kopja e procesverbalit të sekuestrimit;
v. leja e qarkullimit; vi. fatura doganore;
vii. çdo dokument tjetër teknik që çmohet i nevojshëm nga eksperti për vlerësimin e mjetit. 2. Vlerësimi bazohet vetëm mbi dokumentacionin e vënë në dispozicion të ekspertit, sipas pikës 1, të këtij neni.
Pas kësaj, eksperti harton raportin, i cili përmban detaje mbi procesin e ekzekutimit dhe përmbaruesin gjyqësor, datën e inspektimit, përshkrim mbi vendndodhjen e pronës e deri tek planimetri e planvendosje të sendit. Raportet për mjetet e lundrimit dhe ato të fluturimit përmbajnë specifika të dedikuara për to.
Metodologjia merr parasysh se në rastet kur mbi sendin janë bërë shtesa pa lejë ato nuk merren në vlerësim.
“Për makineri, pajisje apo linja të lidhura me furnizimin ose të cilat ofrojnë shërbime utilitare në një ndërtesë dhe janë të integruara brenda saj, si linja furnizimi me energji, gaz, ujë, ngrohje, ventilim, ashensor, vlerësimi kryhet duke i përfshirë këto në vlerën e sendit sipas tregut.
2. Në këtë rast, eksperti deklaron në raport se ka përfshirë në vlerësim edhe vlerën e makinerive, pajisjeve apo linjave. Eksperti duhet të argumentojë me shkrim pamundësinë e shkëputjes së tyre nga ndërtesa për shkak se shkaktohen dëme të konsiderueshme.
3. Nëse për makineritë, pajisjet apo linjat të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kërkohet vlerësimi veçmas i tyre, duhet të jepet me shkrim në detyrat që i ngarkohen ekspertit të fushës” përcakton në nenin e fundit metodologjia.
Sorry, the comment form is closed at this time.