Pandemia rrit dëmet në shëndet, siguruesit kanë paguar 3.6 mln euro këtë vit

Dëmet e kompanive të sigurimeve nga produktet e sigurimit të shëndetit janë në rritje të lartë këtë vit.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për 10-mujorin 2021 dëmet e paguara në sigurimin e sëmundjeve arritën vlerën e 438 milionë lekëve ose 3.6 milionë eurove. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dëmet në këtë produkt janë rritur me 26.4%.

Ndërkohë, rritja e primeve për të njëjtin produkt është ndjeshëm më e ngadaltë, me vetëm 3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ka bërë që raporti i thjeshtë mes dëmeve të paguara dhe primeve të shkruara bruto të rritet ndjeshëm në 69%, nga 56% që kishte qenë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duket se efektet e pandemisë në shëndetin e shqiptarëve po ndihen ndjeshëm edhe në dëmet e paguara në këtë produkt. Sipas shifrave zyrtare, pandemia e Covid-19 ka prekur më shumë se 200 mijë shqiptarë. Dëmet në shëndet nuk lidhen vetëm me trajtimet dhe kurat nga Covid-19, por edhe me pasojat në shëndet që sëmundja mund të lërë në vijim edhe për muaj me radhë. Efektet e pandemisë janë edhe më të dukshme në tregun e sigurimit të jetës, ku këtë vit vlera e dëmeve të paguara është rritur me 45% krahasuar me një vit më parë.

Tregu i sigurimit të shëndetit ngelet mjaft i vogël. Skemat e sigurimit privat të shëndetit janë pak të përdorura dhe në një pjesë të madhe ofrohen në formën e benefiteve nga kompani të veçanta për punonjësit e tyre. Për 10 mujorin 2020, shqiptarët kanë paguar më pak se dy euro prime sigurimi për frymë këtë produkt.

Sistemi i sigurimeve të detyrueshme shëndetësore në Shqipëri ofron falas shumicën e shërbimeve, nëse pacienti ndjek një sistem të caktuar reference. Por, për shkak të cilësisë së dobët të shërbimit, mungesës së stafi të specializuar jashtë qendrave të mëdha urbane, korrupsionit dhe kapaciteteve të pamjaftueshme për shërbime të veçanta, shpeshherë pacientët detyrohet t’i marrin pranë qendrave shëndetësore private.

Në shërbimin spitalor ka shpesh mungesë të barnave të domosdoshme, që jo rrallë të sëmurët detyrohen t’i sigurojnë dhe t’i paguajnë vetë. Pandemia e Covid-19 ishte një shembull tipik, ku pacientët e trajtuar në kushte shtëpie, në kushte dërrmuese, e kanë paguar vetë të gjithë koston e barnave dhe kurave të tjera. Të dhënat e Bankës Botërore e rendisin Shqipërinë si një ndër vendet me pagesat më të larta nga xhepi i qytetarëve për shërbimet shëndetësore, me rreth 50% të shpenzimeve totale.

Pandemia ka ndikuar negativisht dhe në rritjen e vdekshmërisë shtesë në vend, duke u bërë një tjetër faktor në rritjen e pagesave të dëmeve në sigurimin e jetës. Sipas INSTAT, që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019.

Për 9 mujorin 2021, në vend janë shënuar 21,471 humbje jete, me një rritje prej 18% në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s, për shkak të fataliteteve të larta që ndodhën sidomos në tremujorin e parë të këtij viti.

Në krahasim me mesataren e 9 mujorit 2016-2019, fatalitetet në vend për janar-shtator 2021 janë rritur ndjeshëm me 31.6%.

Burimi: AMF
Burimi: INSTAT
/Monitor
Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.