Kompania hungareze blen “Albtelekom”, kërkesa edhe për “One”

Marrëdhëniet e mira midis Kryeministrit Rama dhe atij të Turqisë, Taip Erdogan, u shoqëruan edhe më rritjen e pranisë ekonomike të Turqisë në vendin tonë. Shumë kompani turke kanë blerë asete të rëndësisë së veçantë në ekonominë e vendit. Lëvizjeve në ekonomi I kanë paraprirë vizitat e ndërsjella të delegacioneve qeveritare dhe diplomatike nga Tirana në Ankara dhe anasjelltas prej kohës.

Në qershor të këtij viti kryeministri Rama viziton Budapestin ku pritet nga kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i njohur për qëndrimet e tij radikale karshi Xhorxh Soros, kumbarin politik të Ramës.

Aty u mor premtimi që Hungaria do e mbështeste rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. “Hungaria është plotësisht e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë për anëtarësimin në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Pa një perspektivë të anëtarësimit, siguria e kontinentit nuk mund të garantohet, as politikisht dhe as ekonomikisht”, u shpreh në qershor kryeministri hungarez Orban.

Ajo që nuk u nda me publikun nga kjo vizitë është arsyeja e vërtetë e vizitës. Sipas burimeve të Zoom.al, takimi kishte si qëllim krijimin e garancive të nevojshme për hyrjen e njërës prej kompanive hungareze të telefonisë së lëvizshme (celulare) në tregun shqiptar. Kujtojmë që një takim i ngjashëm është bërë edhe para hyrjes në tregun shqiptar të bankës hungareze OTP.

Takimi i qershorit të këtij viti kërkoi pak më shumë impenjim për qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Rama pasi duhet të hapë rrugën për blerjen nga hungarezët jo të një kompanie por dy kompanive.

Nga burimet e Zoom.al kompania Albtelekom ka firmosur marrëveshjen me kompaninë hungareze dhe një gjë e tillë do të konfirmohet publikisht pasi të kalojnë të gjitha hallkat e kalimit të pronësisë nga turqit te hungarezët. Aksionet që shteti shqiptar zotëron te Albtelekom do të diskutohen në një moment të dytë. Ndërkohë hungarezët synojnë që me ndërhyrjen e kryeministrit të blejnë edhe aksionet e One Telecommunications brenda një periudhe të shkurtër.

Sipas burimit të Zoom.al, qëllimi i hungarezëve është pozicionimi si kompania më e madhe e komunikimit telefonik në vend duke ofruar telefoni të lëvizshme, fikse dhe fibra optike për internet. Blerja pa lodhje e dy kompanive të telefonisë do e poziciononte kompaninë hungareze në një pozicion më të mirë sesa Vodafone.

Procesi i përfundimit të negociatave edhe me kompaninë tjetër pritet të përfundojë brenda dhjetorit. Ndërkohë që procesi i shkrirjes së dy kompanive në një të vetme dhe kalimi nën emrin e hungarezë do të ndodhë në një hark kohor prej dy vitesh.

Marrë nga zoom.al

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.