KLSH/ Bllako, 220 mijë $ dëm për punë të pakryera

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, është arrestuar me urdhër të SPAK në 1 prill 2022, me akuzën se ka përfituar 15 milionë lekë ryshfet, përmes babait të tij, nga kompania që ndërtoi inceneratorin e Fierit. Para se të bëhej pjesë e Parlamentit, Bllako ka qenë drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimedhe Infrastrukturës së Mbetjeve, nga muaji shkurt 2019 deri në prill 2021.

Kjo agjenci është audituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën korrik 2019 deri në qershor 2021, që përkon kryesisht me periudhën e drejtimit nga Bllako. Në raportin e auditimit thuhet se Alqi Bllako, vetëm përmes 3 kontratave për përmirësim të rrjetit të kanalizimeve, ka shkaktuar 22 milionë lekë ose rreth 220 mijë USD dëm ekonomik, me pagesa për punë të pakryera nga kompanitë e kontraktuara.

Nga verifikimi i kontratës së nënshkruar nga Bllako për përmirësimi i furnizimit me ujë për lagjen Krastë e Vogël, Harmës dhe qytetin e Elbasanit, janë paguar rreth 100 mijë USD për punime fiktive. Rreth 80 mijë USD për punë të pakryera janë paguar për zbatimin e kontratën për Përmirësimi i Infrastrukturës së Ujërave të Zeza në Vlorë, si dhe 37 mijë USD për ndërtim kolektori në Gjirin e Lalzit. KLSH kërkon që kompanitë që kanë zbatuar këto kontrata, duke të kthejnë paratë mbrapsht në arkën e shtetit.

Sipas raportit, agjencia nën drejtimin e Alqi Bllakos ka shpallur fituese, pa plotësuar kriteret, kompanitë “G.E.S.T” & “A. shpk”, për tenderin e pajisjes me matësa dhe pajisje për ndërmarrjet Durrës, Elbasan, Lushnjë, Vlore, Fier dhe Kavajë, me ofertë 300,631,377 lekë pa tvsh ose rreth 3 milionë USD.

Sipas KLSH, në kundërshtim me ligjin janë shpallur edhe kompanitë fituese të tenderit për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në zonën bregdetare Vlorë”, , zhvilluar me ofertë fituese 389 milionë lekë ose rreth 3.9 milionë USD.

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë konstatuar gjithashtu shkelje në prokurime me vlerë të vogël si dhe abuzime me kosto ekonomike në procesin e shpronësimeve nga agjencia.

Në raport thuhet gjithashtu se Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, gjatë periudhës së auditimit 2019-2021, ka humbur edhe 10 procese gjyqësore, me kosto rreth 1 milionë euro, për dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës, dёmshpёrblime për shpronësime nё masë tё padrejtë si dhe dёmshpёrblim për kontratat e investimit.

Agjencia ka lidhur kontrata me kompani për kryerje punimesh pa pasur fondet e plota, ndërsa nuk ka raportuar në KLSH për zbatimin e rekomandimeve të lëna nga auditivet e mëparshme.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.