INSTAT publikon të dhënat ekonomike për 2020/ Reagon Denaj

Statistikat zyrtare të INSTAT për Produktin e Brendshëm Bruto tregojnë se vitit 2020 ka një rritje negative -3.31%.

Ndërsa tre mujori i fundit i vitit që lamë pas ka pësuar një rritje gati 3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Për ministren e Financave, Anila Denaj, këto të dhëna janë pozitive pasi parashikimet ishin më të zymta.

“Është dukshëm më i ulët se parashikimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, FMN, Banka Botërore dhe BERZH, të cilat parashikuan një ulje të ekonomisë shqiptare nga -7,5 deri në 9% për vitin 2020. Kjo ulje e ekonomisë me vetëm -3,31% tregon një amortizim të goditjes së ekonomisë shqiptare jo vetëm nga pandemia por edhe nga tërmeti, një menaxhim efektiv me masa konkrete”, tha Denaj.

Ky impakt më i përmbajtur i goditjes në ekonominë e vendit sipas Denaj është bërë edhe falë mbështetjes ndaj biznesit gjatë kohës së pandemisë, dhe është dukshëm më i kontrolluar se sa recensioni mesatar i vendeve të rajonit prej -5.14%. Por cilët janë sektorët që kanë dhënë një kontribut më pozitiv në ekonominë gjatë vitit të pandemisë.

“Aktivitetet kryesore që kanë ndikuar në rritjen ekonomike më të ulët negative se sa parashikimet janë sektori i ndërtimit, i aktiviteteve financiare dhe sigurimeve dhe informacion-komunikacioni”, u shpreh Denaj.

Për vitin 2021, parashikimet e Ministrisë së Financave janë për një rritje 5.5%.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.