Ikën ‘Balfin’, ‘Yldirim’ blen Uzinën e Ferronikelit

Grupi ‘Balfin” ka bartur të gjitha aksionet dhe pronësinë e kompanisë “NewCo Ferronikeli” te Grupi “Yldirim”.

Dy kompanitë kanë arritur marrëveshje në pjesën e parë të qershorit në vitin 2022 dhe përgjatë këtyre muajve kanë gëzuar bashkëpunim të ngushtë për një transfer të kujdesshëm duke mos shkaktuar impakt te punëtorët dhe prodhimi.

“Yldirim” ka një plan biznesi konkret për ta zgjeruar prodhimin dhe për ta rritur biznesin e metaleve dhe minierave. Në këtë frymë, kompania është angazhuar që “NewCo Ferronikelin” ta shndërrojë në një prej kompanive më të mira të nikelit në Evropë. Ky plan biznesi do ta bëjë Uzina e Ferronikelit një prej kompanive më të vlefshme të Grupit “Yldirim”.

“NewCo Ferronikeli” u bë pjesë e Grupit “Balfin” në korrik të vitit 2018. Me prodhim të ndërprerë dhe detyrime të shumta si dhe paga të papaguara të punëtorëve, Grupi “Balfin” ndërhyri për ta përmirësuar situatën financiare dhe nisi implementimin e një programi investiv në vlerë 30 milionë euro, i cili përmirësoi efikasitetin në prodhim.

“NewCo Ferronikeli” është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të ferronikelit në Evropë. Kompania është aset i vlefshëm strategjik për Republikën e Kosovës, me rëndësi dhe impakt të lartë në makro-ekonomi. Kompleksi përfshin punishten me dy linja prodhimi dhe depozitat e pasura minerare nën hapësirat përreth.

Me këtë blerje, “Yldirim” konsolidon investimet e Grupit në sektorin e minierave dhe metaleve.

Kompania renditet e katërta në botë në biznesin e kromit, e dyta në botë për prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë (HC FeCr) dhe është e para në botë në segmentin e mineraleve të kromit me cilësi të lartë. Ka gjithashtu në pronësi edhe fabrika për prodhimin e koksit në Kolumbi dhe fabrikë metalurgjie të ferrovanadiumit dhe ferromolibdenit në SHBA, dhe projekte të hapura dhe nëntokësore të qymyrit në Kolumbi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.