Gripi i shpendëve alarmon Shqipërinë, Ikonomi tregon detaje

Ministrja e Bujqësisë, Milva Ikonomi, ka bërë me dije se dikastero që ajo drejton po ndjek disa hapa për të mbajtur nën kontroll vatrat e gripit të shpendëve që janë identifikuar në vendin tonë.

Ajo tha se po ndiqet në mënyrë sistematike informacioni që vjen nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve.

Ikonomi theksoi se sëmundja ndodhet në shpendët e oborreve, por jo aty ku prodhohen vezët apo rriten shpendët për mish.

Sipas saj, në vendin tonë gripi ka ardhur përmes shpendëve të egër shtegtarë që erdhën në vendin tonë me ngrohjen e temperaturave.

“Nëpër stabilimente ka një protokoll mbarështimi që ndiqet në bazë të rekomandimeve të BE. Kur ka shenja, duhet të informohen fermerët… Për secilën zonë është vënë në shërbim veterineri i urgjencës. Merret gjak nga një shpend i sëmurë dhe sillet tek Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë”, tha ajo.

Ky është protokolli që ndiqet në rast se shpendët shfaqin shenja.

Ministrja tregoi se shtama e gripit e identifikuar në këtë rast është H5N8, dhe hapat që ndiqen në fermën ku ka shpendë të infektuar janë këto: “Izolohet ferma. Si shpendët e gjallë si ata që kanë ngordhur asgjësohen të gjithë. Më pas shpendët futen në qese që zeza, groposen, dezinfektohen me gëlqere dhe mbulohen me një rrjetë”.

Por si do t’u vijë në ndihmë Ministria fermerëve që po humbasin shpendët si pasojë e gripit?

Ministrja Ikonomi thotë se mbahet një procesverbal ngordhjeje dhe më pas të prekurit do të dëmshpërblehen pas përfundimit të pandemisë.

Sa i përket mishit apo shpendëve të gjalla që eksportohet nga jashtë, Ikonomi bën të ditur se masat e kontrollit janë shtuar.

“Kemi një listë të tregtarëve të shpendëve, numri që ka në QKB na rrit dy masa sigurie, kemi në çdo pikë kufitare prezencën e AKU-së që ka për detyrë të kontrollojë certifikatën veterinare”, shpjegoi zonja Ikonomi.

Ministrja sqaroi se rreziku më i madh vjen nga kontakti me një shpend të gjallë të infektuar sesa nga nënproduktet e tyre: “Nuk na bëjnë dëm nënproduktet. Në temperaturën 72 gradë Celcius virusi zhduket”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.