Formula/ Si llogaritet pensioni i reduktuar i invaliditetit
Çdo person që vlerësohet nga Komisioni Mjekësor i Vlerësimit të Aftësisë për Punë (KMACP) se është i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike, duke përfshirë këtu edhe verbimin, ka të drejtë të marrë pension invaliditeti të reduktuar.
Për të siguruar këtë pagesë duhen përmbushur dy kushte. Kështu, një pension i reduktuar invaliditeti merret kur personi ka humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të një aksidenti në punë apo sëmundjes profesionale, kur nuk ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është në varësi të raportit të periudhës të sigurimit faktike me periudhën e sigurimit që i duhet për pensionin reduktuar të invaliditetit.
Në ligjin e sigurimeve shoqërore përcaktohet se përfitimi i kësaj pagese fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohëshme në punë. Ndërkohë që vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajn e pestë ose të gjashtë para përfundimit të kësaj periudhe.
Masa mujore e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë se reduktuar. “Masa e pensionit të invaliditetit të reduktuar llogaritet duke shumëzuar masën e llogaritur të invaliditetit të plotë me koeficientin që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore, shkruan “Dita”.
Sikundër ndodh me pagesat e tjera të invaliditetit, edhe për përfitimet e reduktuara mund të sigurohen të ardhura shtesë për kujdesje, si dhe fëmijët në ngarkim.
Kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 përqind të bazës së vlerësuar neto. Nevoja për kujdesje të vazhdueshme e një personi tjetër përcaktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).
Po ashtu, një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti, dhe që ka në ngarkim fëmijët deri në moshën 18 vjeç, ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në moshën 25 vjeç, merr një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 përqind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 përqind.
Sorry, the comment form is closed at this time.