KARTËMONEDHA E RE/ SA DO T’I SHËRBEJË “ASDRENI” EKONOMISË

Nga Klodian TOMORRI

Emetimi i kartmonedhës së re me prerje 10 mijë lekë shkaktoi jo pak debate për tematikën, dizajnin, por edhe portretin, që duhet të ishte aty. Por debati i vërtetë është: A i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe? Dhe kush janë përfituesit më të mëdhenj nga kjo?

Çështja e parë është e debatueshme dhe mund të ketë argumentë nga të dy krahët, që e mbështesin ose jo hedhjen në qarkullim të një kartëmonedhe me vlerë ligjore të madhe.

Por pyetja e dytë ka më pak debat. Përfituesit kryesorë të emetimit të 10 mijë lekëshit janë krimi dhe ryshfetxhinjtë në të dy ekstremet e spektrit të korrupsionit, si ryshfetmarrësit ashtu edhe ryshfetdhënësit.

Prerjet e mëdha lehtësojnë levizjen e cash-it dhe ua bëjnë më të lehtë jetën djemve të këqinj.

Konsideroni vetëm këtë shembull. Për të dhënë një ryshfet 1 milion dollarë nevojiten vetëm 1 kilogramë kartmonedha 500 euroshe. Por nëse i njëjti ryshfet do të jepej me kartëmonedha 20 euroshe do të duhej një thes 25 kg i rëndë dhe shumë i madh në përmasa.

Ne nuk i dimë raportet e sakta të peshës për lekun, por është e qartë se 100 milionë lekë ryshfet do të kërkonin një thes të madh me 1 mijë lekësha dhe vetëm një pako të vogël elegante me 10 mijë lekësha.

Ne Bashkimin Evropian kartmonedha 500 euro u pagëzua me emrin Bin Laden.

Arsyet ishin dy. Së pari, ashtu si Bin Ladenin edhe 500 euroshin, shumë njerëz e dinin që ekzistonte, por shumë pak e kishin parë ndonjëherë. Sipas vetë Bankës Qendrore Evropiane, më shumë se 54 për qind e qytetarëve të BE-së nuk kishin patur kurrë në dorë një kartëmonedhë 500 euroshe.

Së dyti, prerja 500 euro u shndërrua në kartëmonedhën kryesore të financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Jo më kot, ish-ministri francez i Financave, Michel Sapin, dikur pati deklaruar: Ne nuk blejmë ushqime me kartmonedhën 500 euro, por bota e nëndheshme e përdor gjerësisht atë për biznes.

Sipas përllogaritjeve të Bankës Qendrore Evropiane, 70 për qind e kartëmonedhave me prerje 500 euro zotëroheshin nga krimi i organizuar ose organizatat terroriste. Kjo ishte arsyeja pse BQE në vitin 2019 ndaloi emetimin e fletushkës vjollcë.

Në SHBA, një grup ekonomistësh nga Universiteti i Harvardit me në krye ish-sekretarin e Thesarit, Larry Summers, i kanë propozuar qeverisë amerikane të “vrasë” 100 dollarëshin për t’ia bërë jetën më të vështirë krimit. Madje, sipas tyre, të njëjtin shembull duhet të ndjekë edhe Britania me prerjen 50 pound si dhe Zvicra me 1 mijë frangëshin e saj.

Në Shqipëri industria e ryshfetit është gjerësisht e përhapur dhe e ndarë mes euros dhe lekut. Por tani edhe Shqipëria do të ketë “Bin Ladenin” e saj me portretin e Asdrenit të stampuar në të. Ndoshta si pjesë e planit të Bankës së Shqipërisë për të inkuruajuar përdorimin e monedhës kombëtare në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Ndaj ryshfeti për një leje ndërtimi apo tender këtej e tutje do të peshojë fizikisht më pak dhe nuk do të kërkojë çantat e mëdha të zeza si më parë.

Ministrat, kryetarët e bashkive dhe drejtorët e institucioneve publike nuk mund të jenë, përveçse të lumtur. Me gjasa, më shumë se 80 për qind e fletushkës së re me portretin e Asdrenit do të jetë në duart, bodrumet apo oborret e vilave të tyre.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.