Bie sërish çmimi i naftës në bursa, në Shqipëri asgjë nuk lëviz

Çmimi i naftës në bursat botërore bie sërish në nivelet e para luftës në Ukrainë.

Në bursën e Teksasit, çmimi për fuçi luhatej sot mes 88 dhe 89 dollarëve, ndërsa në atë të Londrës, ky çmim u luhat mes 94 dhe 95 dollarëve për fuçi. Këto çmime janë për kontratat që lidhen me furnizimet me naftë për muajin Shtator, kur Arabia Saudite që konsiderohet si vendi kryesor anëtar i kartelit të OPEC-ut ka premtuar të shtojë prodhimin me 100 mijë fuçi në ditë për të lehtësuar barrën e rëndë që ka krijuar në tregjet botërore të energjisë, sulmi rus në Ukrainë.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe reduktimi i menjëhershëm i aktivitetit industrial në Kinë, gjatë muajit Korrik, kur autoritetet e Pekinit vendosën të riaktivizojnë masat e ashpra bllokuese kundër përhapjes së COVID-19. Kjo ndikoi në uljen e papritur të kërkesës për naftë. Parashikimet për të ardhmen ekonomike të këtij vendi mbeten të zymta, raporton TV Klan.

Optimizmin e tregjeve po e shton edhe oferta e Bashkimit Europian për rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, që mund të heqë sanksionet ndërkombëtare për eksportin e naftës nga ky vend.

Ndërkohë në Shqipëri nuk ka asnjë lëvizje lidhur me çmimin e karburanteve, të cilat caktohen nga i ashtëquajturi Bordi i Transparencës. Aktualisht karburantet në Shqipëri tregtohen me çmimet më të larta ndër vendet e rajonit, veçanërisht nafta e cila shitet me 221 lekë për litër, rreth 500 lekë të vjetra më shumë për litër se tregu i Malit të Zi, ose rreth 400 lekë më shumë se ai maqedonas.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.