BB, 80 milionë dollarë mbështetje buxhetore për Shqipërinë

Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huanë për zhvillimin e politikës për qëndrueshmërinë fiskale dhe rritjen në Shqipëri”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, shpjegoi se, huaja e synuar në vlerën e 80 milionë dollarëve është një mbështetje buxhetore për Shqipërinë.

“Synimi i kësaj huaje për zhvillim e politikave është të mbështesë përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe të Shqipërisë në realizimin e disa objektivave që kanë të bëjnë me forcimin e transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, përmirësimin e financave për rritje dhe rimëkëmbje, si dhe mbështetjen për mundësitë sektoriale kryesore për zhvillim të qëndrueshëm”, theksoi Denaj.

Tri fushat kryesore të fokusit, shtoi ajo, janë rikthimi i ekuilibrave makroekonomikë, krijimi i kushteve të rritjes së përshpejtuar të sektorit privat dhe forcimi i menaxhimit të sektorit publik dhe ofrimit të shërbimeve.

Gjithashtu, ministrja theksoi se, ky program do të ndihmojë Shqipërinë në rritjen e ekonomisë digjitale dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore të Shqipërisë, përfshirë edhe stimulimin e zhvillimit të modeleve të turizmit që integrojnë komunitetet lokale.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.