Balluku, nga HEC-i i Komanit: Menaxhuam prurjet pa krijuar përmbytje

Hidrocentrali i Komanit ka menaxhuar tej mase mirë situatën e krijuar nga reshjet e shumta të shiut, duke rritur prodhimin dhe duke menaxhuar shkarkimin e prurjeve, për të mos krijuar përmbytje në zonën e Nënshkodrës, një zonë që ka patur gjithnjë problematika në këtë drejtim.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar të premten një inspektim në hidrocentralin e Komanit për të parë nga afër masat e marra për menaxhimin e situatës si pasojë e rritje së prurjeve në lumin Drin, si dhe investimet e realizuara në këtë HEC.

“Sot i kemi të gjitha agregatet në punë. Sigurisht, të gjithë e dimë, vijmë nga një periudhë me reshje të dendura. Në Ministrinë e Infrastrukturës jemi të dyzuar, pasi reshjet na duhen nga njëra anë, për kaskadën, prodhimin etj., por nga krahu tjetër janë edhe problem, për faktin e të gjitha problematikave që na krijohen për në infrastrukturë, rrugë, aeroporte dhe gjithçka tjetër që preket nga moti i rëndë”, tha Balluku.

“Ndryshe nga të gjitha vitet e tjera, menaxhimi i kaskadës gjatë muajit janar, ku ka patur reshje të shumta, ku jemi përballur me një mot jo të zakonshëm, Kaskada është menaxhuar shumë mirë, kemi prodhuar ndjeshëm energji, duke mbajtur nën kontroll prurjet dhe duke mos krijuar përmbytje në zonën e Nënshkodrës. Kjo vjen dhe për shkak të punës së mirë të bërë nga ju edhe në koordinim me komitetin e flotave, që ka qenë gjatë gjithë kohës në koordinim me ju dhe hidrocentralet e tjera dhe ia kemi dalë në mënyrë të shkëlqyer, duke parë se në vijim presim rënie të intensitetit të reshjeve”, vijoi Balluku.

Sipas saj, në këtë hidrocentral, i dyti më i rëndësishmi në vend, ka pasur investime të mëdha dhe serioze, “siç do të kemi dhe në vijim, duke filluar nga muaji maji për rehabilitimin e portës 3 dhe 4”.

Gjatë muajit nëntor dhe dhjetor nuk u krye asnjë lloj punimi që ka të bëjë me portat, për shkak se ishte moment i dendur i të gjitha operimeve që kryhen.

Ndërsa inspektonte zonën e digës së hidrocentralit të Komanit, Balluku lajmëroi edhe fillimin e punës në hidrocentralin e Skavicës.

“Në këtë hidrocentral ku jemi, prodhimi është mbi 13 milionë në 24 orë, me kapacitet të plotë, me të katërt agregatet. Shkarkimi është mëse normal, shkarkimet që kemi 300 metra kub në sekondë, për dy tunelet që Komani i ka. Duhet theksuar se pavarësisht prurjeve të mëdha kemi prodhuar energji në këtë hidrocentral, duke kontrolluar dhe shkarkimet për të mos krijuar problematika në zonë e Nënshkodrës. Përsëris, ky është një nga hidrocentralet që kemi patur investime si asnjëherë më parë në portat e shkarkimit, investime nga Banka Botërore dhe BE. Në kaskadën e Drinit kemi të alokuara thuajse të gjitha hidrocentralet e prodhimit të energjisë në vendin tonë. Së shpejti, do të nisim dhe ndërtimi hidrocentralit të Skavicës. Ky hidrocentral do realizohet në bashkëpunim me SHBA-të. Puna ka nisur për dizenjimin e projektit dhe gjetjen e fondeve”, tha Balluku.

Turizmi është një tjetër mundësi zhvillimi për zonën.

“Muajt turistikë kanë nisur të shtohen dhe Komani padyshim është destinacion impresionues, si nga ana teknike, ashtu dhe nga ana e natyrës. Investimi në infrastrukturën rrugore është një vlerë e shtuar për banorët, turistët dhe për hidrocentralin”, shtoi Balluku.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.