(Video) Turqi/ Autobusët formojnë ‘mur’ për të mbrojtur motoçiklistët nga era

Moti i keq i djeshëm që goditi disa zona në Turqi shkaktoi shumë probleme në transportin rrugor dhe detar, ndërsa u kushtoi jetën të paktën 4 personave në Stamboll , ku erërat frynin me shpejtësi deri në 130 km në orë!

Të paktën 19 persona kanë mbetur të plagosur në zonën e Stambollit nga erërat e forta ditën e djeshme, ndërsa në disa pjesë të vendit janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, me shkulje të pemëve, rrëzim çatish dhe aksidente të rënda në rrugë.
Por përveç pamjeve të fatkeqësisë që kanë qarkulluar në internet, dje është shfaqur një skenë pozitive kur autobusët kanë formuar një “mur” për të mbrojtur motoçiklistët që rrezikoheshin nga era në një urë.

Sipas Milliyet, ngjarja ndodhi në Urën e Dëshmorëve më 15 korrik (e njohur ndryshe si Ura e parë e Bosforit ose “Ura e Ataturkut”) ku dje ishin krijuar radhë në anën evropiane nga motoçiklistë që prisnin të ndalonte era në mënyrë që ata të munden të lëviznin.

Në një prononcim për gazetën turke, një motoçiklist, Oktay Baraktar, tregoi se si u përpoq të kalonte urën dje dhe më në fund era e fortë e hodhi nga motori.

“Isha poshtë me motoçikletën dhe nuk dija si të kthehesha”, tha motoçiklisti duke shpjeguar se më në fund në hyrje të Urës është shoqëruar nga një punonjës policie.

Në klipin që po bën xhiron e internetit, duken 4 motoçiklistë duke kaluar urën, të inkuadruar nga dy autobusë të verdhë që lëvizin ngadalë, vetëm për t’i mbrojtur nga era e fortë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.