VIDEO/ Protesta kundër kufizimeve të Covid në të gjithë Europën

Mijëra protestues mbushën rrugët e Vjenës të shtunën pasi qeveria austriake njoftoi  se do të vendoste një bllokim mbarëkombëtar duke filluar nga e hëna për të mbajtur në kontroll rritjen e rasteve. Demonstrata kundër kufizimeve të virusit u zhvilluan gjithashtu në Zvicër, Kroaci, Itali, Irlandë Veriore dhe Holandë të shtunën, një ditë pasi policia  hapi zjarr ndaj protestuesve dhe shtatë persona mbetën të plagosur në trazirat që shpërthyen në Roterdam.

Protestuesit u organizuan kundër kufizimeve të koronavirusit dhe certifikatave të detyrueshme për COVID-19. Bllokimi do të zgjasë të paktën 10 ditë, por mund të zgjatet edhe deri në 20 ditë, thanë zyrtarët. Njerëzit  mund të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike.

Qeveria gjithashtu do t’i bëjë të detyrueshme vaksinat duke filluar nga 1 shkurti.  Ndërkohë 66% e 8.9 milionë personave në Austri janë vaksinuar plotësisht, një nga normat më të ulëta në Europën Perëndimore.

Në Zvicër 2,000 njerëz protestuan kundër një referendumi të ardhshëm nëse do të miratohej ligji i qeverisë për kufizimet COVID-19, duke pretenduar se ishte diskriminues. Një ditë pas trazirave të Roterdamit, mijëra u mblodhën në sheshin qendror të Amsterdamit, pavarësisht se organizatorët e anuluan protestën.

Në Itali, 3,000 protestuan në Circus Maximus të kryeqytetit, për të protestuar kundër certifikatave “Green Pass” që kërkohen në vendet e punës, restorantet, kinematë, teatrot, ambientet sportive dhe palestrat, si dhe për udhëtime me tren, autobus ose traget në distanca të gjata.

Në Irlandën e Veriut, qindra persona protestuan jashtë bashkisë në Belfast, pas hapjes së tregut të Krishtlindjeve shtunën – një treg ku kërkohet  prova e vaksinimit ose një test negativ për COVID-19.


Qeveria e Irlandës së Veriut votoi këtë javë miratimin e certifikatave të vaksinimit për hyrjen në klubet e natës, baret dhe restorante duke filluar nga 13 dhjetori. Disa protestues mbanin pankarta që janë kritikuar gjerësisht si ofenduese, duke krahasuar kufizimet e koronavirusit me veprimet e Gjermanisë naziste.

Në Kroaci, mijëra protestuan në kryeqytetin e Zagrebit, duke mbajtur flamuj, simbole nacionaliste dhe fetare, së bashku me pankarta kundër vaksinimit dhe asaj që ata i përshkruajnë si kufizime të lirive të njerëzve.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.