(Video) Kandidati presidencial në Francë dhunohet nga protestuesi

Tubimi i parë elektoral shkoi shumë keq. Një protestues tërhoqi me forcë kandidatin presidencial të së djathtës ekstreme në Francë, Eric Zemmour. Kjo ndodhi teksa ai po ecte përmes turmës drejt skenës. Protestuesi e kapi 63-vjeçarin nga qafa përpara se të ndërhynte ekipi i sigurisë. Agresori është ndaluar menjëherë nga policia.

Ekipi i Zemmour njoftoi se gjatë sulmit pësoi dëmtime të lehta, megjithatë doktorët i dhanë atij 9 ditë pushimi të detyruara. Problemet nuk përfunduan këtu. Mbështetës të kandidatit të së djathtës ekstreme qëlluan me grushte dhe lëshuan karrige në drejtim të disa protestuesve që mbanin veshur bluza me mbishkrime kundër racizmit. Shenjat e dhunës janë të dukshme.

“Jemi të përkushtuar kundër racizmit. Erdhëm që të themi se jo të gjithë biem dakord. Donim të kundërshtonim paqësisht. Hoqëm bluzat në mënyrë që të mos qëlloheshim përsëri. Nuk e dija që do ishte kështu. Injorova rrezikun pasi mendova se ne ishim në një demokraci, ku ne mund të thonim diçka pa pasoja fizike. Ne jemi militantë paqësorë”, thotë një protestuese.

Pavarësisht incidenteve të rënda, eventi u mbajt pa asnjë vonesë. Zemmour premtoi një rikthim të fuqishëm të Francës duke pretenduar se do t’i japë fund qeverisjes së dobët prej rreth një dekade. Gjatë fjalimit, që zgjati 1 orë e gjysmë, ai njoftoi se do ta quajë partinë e tij “Reconquest”, një emër që evokon periudhën historike të njohur si “Reconquista”, kur forcat e krishtera, dëbuan sundimtarët myslimanë nga Gadishulli Iberik.

Premtimet kryesore të kandidaturës së tij, lidhen kryesisht me luftimin e emigracionit dhe uljen e taksave.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.