Talebanët i drejtohen popullit afgan: Armiqësive u erdhi fundi, duam paqe

Që pas marrjes së pushtetit, talebanët i janë drejtuar popullit afgan për herë të parë me një mesazh ditën e sotme nga Kabuli.

Zëdhënësi Zabihullah Mujahid u shpreh para mediave se, ky është një moment krenar për të gjithë kombin.

Ai tha se nuk duan asnjë armik: “Ne duam të sigurohemi që Afganistani nuk është më një fushë betejë konflikti. Ne i kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësive u ka ardhur fundi. Ne nuk duam armiq të jashtëm apo të brendshëm”.

Por çfarë do të ndodhë me të drejtat e grave?

‘Unë do të doja të siguroja bashkësinë ndërkombëtare se askush nuk do të dëmtohet. Ne nuk duam të kemi ndonjë problem me bashkësinë ndërkombëtare.

Ne kemi të drejtë të veprojmë sipas parimeve tona fetare. Vendet e tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore të ndryshme…

Afganët kanë të drejtë të kenë rregullat dhe rregulloret e tyre në përputhje me vlerat tona. Ne jemi të përkushtuar ndaj të drejtave të grave nën sistemin e sheriatit [ligjit islam]. Ata do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim”, tha zëdhënësi.

Në fjalën e tyre të parë, talebanët kishin një mesazh edhe për median, që sipas tyre, nuk duhet të punojë kundër tyre.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mediave brenda kornizës sonë kulturore. Asgjë nuk duhet të jetë kundër vlerave islame kur bëhet fjalë për aktivitetet e mediave. Ju në media duhet t’i kushtoni vëmendje mangësive (tona), në mënyrë që t’i shërbejmë kombit. Por media nuk duhet të punojë kundër nesh. Ata duhet të punojnë për unitetin e kombit”, tha Mujahid.

Zëdhënësi i talebanëve theksoi se media private “mund të vazhdojë të jetë e lirë dhe e pavarur”.

Kur u pyet për përkthyesit që kanë punuar me fuqitë e huaja, Zabihullah Mujahid tha: “Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje. Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam që ata të largohen. Ata janë pasuria jonë”.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.