Sondazhi/ Si mendojnë në SHBA dhe Evropë për trajtimin e pandemisë nga qeveritë

Sipas një sondazhi të ri nga qendra Pew Research në opinionin publik ekzistojnë ndryshime të mëdha për mënyrën se si është trajtuar pandemia e koronavirusit nga qeveritë perëndimore. Në sondazh të anketuarit u pyetën edhe për qëndrimet e tyre ndaj vaksinimeve të detyrueshme.

Në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ka pak fusha të jetës që kanë mbetur të paprekura nga pandemia.

Barra mbi shëndetin e njerëzve ka qenë ndonjëherë e papërballueshme. Ekonomitë janë mbyllur. Shoqëritë janë bllokuar.

Por një sondazh nga qendra Pew Research me seli në Shtetet e Bashkuara zbulon se publiku ka perceptime shumë të ndryshme për mënyrën sesi e kanë trajtuar qeveritë perëndimore pandeminë.

“Në Gjermani, për shembull, 77% e publikut mendon se vendi ka bërë një punë të mirë deri tani në trajtimin e koronavirusit. Sipas sondazhit tonë, në tre vende të tjera – në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Francë – mendimet janë pak më të ndara. Për shembull, në Shtetet e Bashkaura 58% e amerikanëve besojnë se vendi i tyre ka bërë një punë jo të mirë në trajtimin e pandemisë”, thotë për Zërin e Amerikës Kat Devlin, bashkë-autore e sondazhit.

Sondazhi u krye në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020 – para se Presidenti Joe Biden të merrte detyrën dhe pikërisht kur sapo kishin filluar programet e vaksinimit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.

Bashkimi Evropian ka qenë shumë më i ngadaltë në fillimin e programeve të vaksinimit. Në këtë klinikë të Parisit, ka zhgënjim për vonesat.

“Ne jemi mobilizuar. Jemi gati të presim njerëzit më të rrezikuar, por nuk kemi vaksina. Pra kemi një qendër të pajisur mirë, por bosh dhe natyrisht, jemi të zemëruar”, thotë Goeffroy Boulard, kryetari i distriktit të 17 në Paris.

Nga frika e humbjes së besimit të publikut, Franca dhe shtetet e tjera të BE-së kanë argumentuar se procesi i miratimit të vaksinave nuk duhet nxituar.

Franca ka një nga nivelet më të larta të të ashtuquajturit skepticizëm ndaj vaksinave në botë. Një studim i kohëve të fundit tregoi se pak më shumë se 40% e popullsisë në moshë të rritur synojnë ta bëjnë vaksinën. Presidenti Emmanuel Macron kohët e fundit hodhi poshtë thirrjet për vaksinime të detyrueshme.

Sondazhi i qendrës Pew pyeti të anketuarit për qëndrimet e tyre ndaj vaksinimeve të detyrueshme.

“Në tre nga vendet ku e bëmë këtë pyetje, shumica e njerëzve nuk e shohin si një ide të pranueshme. Për shembull, 75% në Francë nuk e pëlqejnë idenë e një vaksinimi të detyrueshëm nga qeveria. Britania e Madhe ishte i vetmi vend ku kjo ide ishte më e pranueshme – 62% e britanikëve e konsiderojnë vaksinimin e detyruar si një propozim të pranueshëm”, thotë Kat Devlin.

Në Britani, programi i vaksinimit po përshpejtohet, me mbi 12 milionë njerëz që e kanë bërë tashmë dozën e parë të vaksinës.

Britania gjithashtu ka patur numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në Evropë.

Zgjedhjet lokale të planifikuara për në maj do të jenë një tjetër matës i miratimit të publikut për trajtimin e pandemisë nga qeveria.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.