Sllovakia, pro anëtarësimit në NATO të këtyre dy vendeve

Me shumicë dërrmuese, Parlamenti sllovak ratifikoi sot anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Shumica e 30 anëtarëve të NATO-s kanë ratifikuar tashmë pranimin e të dy vendeve, pas nënshkrimit të protokolleve të pranimit në korrik. Mes këtyre vendeve është edhe Shqipëria.

Me miratimin e sotëm nga Sllovakia, mbeten vetëm Hungaria dhe Turqia që nuk e kanë ratifikuar zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO këtë vit, të nxitura nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Turqia e ka kundërshtuar hyrjen e tyre, duke i akuzuar të dy vendet për mbështetje të grupeve që Ankaraja i konsideron terroriste. Por më pas Ankaraja, Helsinki dhe Stokholmi nënshkruan një marrëveshje që parashikon heqjen e vetos turke në këmbim të angazhimit të dy vendeve nordike për të luftuar terrorizmin.

Turqia thotë se do të bllokojë anëtarësimin nëse nuk përmbushen angazhimet e marra nga Suedia dhe Finlanda.

Parlamenti i Hungarisë nuk ka përcaktuar ende se kur do të diskutohet anëtarësimi i dy vendeve në NATO.

Në Sllovaki sot, nga 150 deputetë të parlamentit, 126 miratuan pranimin e Finlandës, ndërsa 124 ishin pro pranimit të Suedisë.

Qeveria e kryeministrit sllovak Eduard Heger mbështet fuqishëm Ukrainën dhe ka rënë dakord të presë një njësi luftarake të NATO-s në tokën e saj, ndërsa Aleanca kërkon të forcojë krahun e saj lindor. 

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.