Shqiptari i parë në SHBA që bën vaksinën Pfizer, mesazhi për bashkëkombasit
Arjet Gega është shqiptari i parë në SHBA që ka bërë vaksinën e Pfizer. Mjeku i sëmundjeve infektive dhe asistent profesor në shtetin e Connecticut thotë se u vaksinua si pjesë e planit të Qeverisë Federale për punonjësit e shëndetit që janë në kontakt me pacientët me Covid-19.
“Nuk kisha asnjë mëdyshje për ta bërë. Kjo varet nga data, ne jemi njerëz të shkencës. Siç e mbani mend që u pyet dr. Fauçi disa muaj më parë a do e bëni vaksinën, Jo i tha varet, sepse ishim në pritje të datave, të informacionit rreth vaksinës. Efikasiteti është i mrekullueshëm, ishte surprizë e madhe, nuk e prisnim një efikasitet 95 %”, thotë ai për Top Channel.
Ai tregon se dhe pse kishte kaluar gjysmë dite që e kishte bërë vaksinën nuk kishte pasur asnjë efekt anësor.
“Nuk e di, ka kaluar gjysmë dite dhe ndjehem shumë mirë, nuk kam pasur as ndonjë dhimbje në krah që është e përgjithshme për të gjithë vaksinat, as dhimbje trupi apo temperaturë. Ka shumë pak efekte anësore, në përgjithësi dhimbje të muskulit ku bëhet vaksina ose dhimbje të përgjithshme të trupit dhe më pak se 10% e pacientëve ndonjëherë kanë temperaturë që zgjat më pak se 24 orë. Deri tani nuk kam pasur asnjë nga këto efekte”, thotë dr. Gega.
Ai ka një apel për shqiptarët duke u kërkuar të vaksinohen kur të krijohet mundësia pasi ajo ishte drita në fund të tunelit që prisnim të gjithë për të mposhtur këtë virus.
“Vaksina është drita në fund të tunelit, është ajo që ne prisnim, mënyrë si ta fitojmë këtë betejë. Unë jam koshient i gjithë lëvizjes kundër vaksinave që ekziston në botë por mesazhi im kategorik është ju lutem vaksinohuni. Problemi aktual është që vaksinat nuk i kemi në sasinë e duhur, por sapo të jenë prezent çdo shqiptar mes moshës 16-99 duhet patjetër të vaksinohet për COVID-19. Nuk ka vend për asnjë mëdyshje dhe gjithmonë u them njerëzve që çojnë mesazhe të painformuara, jashtë fushës së tyre të ekspertizës se me dashje apo pa dashje janë duke i kushtuar njerëve jetën”, tha ai.
Sorry, the comment form is closed at this time.