Shokuese, një fëmijë vritet ose gjymtohet çdo 5 orë në Afganistan

Pothuajse 33 000 fëmijë janë vrarë dhe gjymtuar në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit, mesatarisht një fëmijë në çdo pesë orë, sipas organizatës ndërkombëtare “Save the Children”.

Të dhënat e reja të publikuara, thanë se të paktën një fëmijë “ose u vra ose u gjymtua çdo pesë orë në 20 vitet e fundit në Afganistan”.

Forcat e fundit të huaja u larguan nga Afganistani të hënën në mbrëmje, duke i dhënë fund 20 viteve të gjata të pushtimit dhe luftës në vend. Forcat e huaja të drejtuara nga SHBA-ja pushtuan Afganistanin në 2001.

“Numrat janë një pasqyrë shkatërruese e kostos vdekjeprurëse të luftës ndaj fëmijëve”, thuhet në raport.

Më tej thuhet se numri i vërtetë i viktimave të konfliktit të drejtpërdrejtë të fëmijëve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë se sa 32.945 pasi “ky numër nuk përfshin fëmijët që kanë vdekur për shkak të urisë, varfërisë dhe sëmundjeve në atë kohë”.

Organizata tha se gati gjysma e popullsisë së Afganistanit, përfshirë afro 10 milionë fëmijë, kanë nevojë për ndihmë humanitare pasi thatësira, vala e tretë e COVID-19 dhe konflikti e zhytin vendin më thellë në krizë.

“Gjysma e të gjithë fëmijëve nën moshën 5-vjeç pritet të vuajnë nga kequshqyerja akute këtë vit”, paralajmëron organizata.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.