Shkëputet akullnaja/ 6 të vdekur, 9 të plagosur, 16 të zhdukur

Gjashtë persona kanë vdekur, 9 janë plagosur dhe 16 raportohen të zhdukur pas shkëputjes së një akullnaje të madhe në Marmolada (Itali).

Lajmi tragjik u bë i ditur për ANSA-n nga këshilltari rajonal i Venetos për Mbrojtjen Civile, Gianpaolo Bottacion.

“Situata po ndryshon nga momenti në moment. Aktualisht është e vështirë të japësh një raport përfundimtar të asj që ndodhi”, tha ai.

Ndërkohë, janë identifikuar 4 nga 6 viktimat.

Bëhet fjalë për 3 shtetas italianë dhe një person me kombësi çeke. Një burrë dhe një grua nuk janë identifikuar ende.

Mes të zhdukurve ka italianë, gjermanë, çekë dhe rumunë.

Ndërkohë në Canazei kanë mbërritur dy grupe familjarësh të viktimave dhe të të zhdukurve.

Trupat e gjetur deri tani janë dërguar në një shtëpi funerale në qytet ku do të bëhet identifikimi i tyre.

Kërkimet për të zhdukurit kanë vazhduar edhe gjatë natës.

Gjatë inspektimeve është angazhuar personel shtesë, me mbështetjen e Brigadës së Shpëtimit Alpin, të Zjarrfikësve dhe dronëve të tyre, të pajisur me kamera termike, të aftë për të identifikuar trupa edhe në errësirë.

“Orteku në Marmolada është një fatkeqësi e paimagjinueshme, një masakër. Do ta kemi të vështirë të përcaktojmë identitetin e saktë të viktimave, sepse trupat u copëtuan nga rrjedha e akullit dhe gurëve”, thanë autoritetet lokale të hetimit.

Mes viktimave janë dhe dy drejtues të guidave.

Ngjarja, sipas informacioneve të para, ka ndodhur pranë Punta Rocca, përgjatë rrugës së ngjitjes për të arritur majën.

Masa e materialit që u shkëput nga akullnaja Marmolada ra me një shpejtësi prej 300 kilometra në orë. Kështu konstatuan teknikët e Shpëtimit Alpin.

Një pjesë e konsiderueshme e akullnajës është ende e lidhur me malin.

“Nëse doni të bëni një krahasim, – thonë ekspertët, është e barabartë me dy fusha futbolli të mbushura me akull. Të gjitha të ekspozuara ndaj 45 gradë pjerrësi”.

Kryeministri Mario Draghi ka shprehur ngushëllimet më të thella për viktimat. Sipas tij, qeveria është pranë familjeve të tyre dhe të gjithë të lënduarve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.