Shfuqizimi i masave anti-Covid, koncert me mbi 50 mijë njerëz në Danimarkë

Mediat daneze kanë raportuar për “natën magjike”, ku dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në një koncert roku në Kopenhagë, që ishte ngjarja e parë e tillë në Evropë nga fillimi i pandemisë.

Koncerti u zhvillua në stadiumin e qytetit, i ciöli u mbush plot e përplot, bënë të ditur organizatorët.

Pasi Danimarka dy ditë më parë shfuqizoi masat e fundit epidemiologjike, rreth 50.000 njerëz të shtunën kanë mundur të marrin pjesë në koncertin e grupit ‘The Minds of 99″, në stadiumin ‘Parken’.

Nga e premtja danezët nuk janë të detyruar të tregojnë të ashtuquajturën certifikatë anti-Covid, që dëshmon se personi është vaksinuar, i shëruar nga coronavirusi apo është negativ në test, për të marrë pjesë në ngjarje të mëdha siç janë koncertet, ndeshjet e futbollit apo hyrja në klube të natës që aktualisht janë hapur.

Mediat lokale e kanë cilësuar ngjarjen si ‘historike’, për faktin se është e para në Evropë e këtij lloji që organizohet që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit.

“Në ajër ka pasur magji, e duart rrëqetheshin”, ka shkruar e përditshmja ‘Extra Bladet’, duke iu referuar atmosferës euforike në koncert.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.