SHBA-Gjermani: Rusia, një sfidë urgjente për Evropën

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania thanë të mërkurën se rritja e pranisë ushtarake të Rusisë pranë kufirit me Ukrainën përfaqëson “një sfidë të menjëhershme dhe urgjente” për sigurinë evropiane dhe se një ndërhyrje e mundshme do të përballej me pasoja të ashpra.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u shfaqën të bashkuar sa i përket Rusisë, pas një takimi në Uashington.

Ashpërsia e reagimit ndaj një sulmi rus në Ukrainë varet përgjithësisht nga Gjermania, vendi me ekonominë më të madhe të Evropës dhe me peshën më të madhe diplomatike brenda Bashkimit Evropian.

“Si Gjermania, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, i shikojnë veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës si një sfidë të menjëhershme dhe urgjente ndaj paqes dhe stabilitetit në Evropë”, tha Sekretari Blinken.

“Ne dënojmë rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës, si dhe retorikën gjithnjë e më të ashpër të Rusisë, ndërsa vazhdon të mbështesë variante të rreme se është Ukraina që po kërkon të provokojë (Rusinë)”, tha ai: “I ngjason paksa dhelprës që thotë se nuk pati alternativë tjetër, përveçse të sulmonte kotecin, pasi në njëfarë mënyre pulat përbënin kërcënim”.

Zonja Baerbock ra dakord: “Përsëritëm së bashku se veprimet dhe aktivitetet ruse shoqërohen nga një çmim i qartë, dhe një shkelje e re e sovranitetit të Ukrainës nga Rusia do të kishte pasoja të rënda”.

Takimi Blinken-Baerbock pasoi një telefonatë të javës së kaluar mes Presidentit Joe Biden dhe atij rus Vladimir Putin, një bisedë të dielën mes Presidentit Biden dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe një diskutim në grup të martën mes këshilltarit të sigurisë kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, dhe homologëve të tij nga pesë vendet nordike.

Takimi i paraprin gjithashtu një morie takimesh me përfshirje të ministrave të Jashtëm të NATO-s, zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë, Këshillin NATO-Rusi, si dhe Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, të planifikuara për javën e ardhshme.

“Pikëpyetja e vërtetë është nëse Rusia është serioze për sa i përket diplomacisë, serioze për uljen e tensioneve”, tha Sekretari Blinken, duke shtuar: “Le të shohim se si do të zhvillohen gjërat gjatë javëve të ardhshme”.

Zyrtarët perëndimorë kanë përmendur një sërë sanksionesh dërrmuese ekonomike që mund të vendoseshin në rast se Rusia vendos të veprojë. Ndër to janë shkëputja pothuajse e plotë nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe ndërmarrja e hapave për një integrim më të madh në NATO të vendeve evropiane që nuk janë ende pjesë e aleancës.

Ndërsa administrata e Presidentit Biden po kërkon të ndërtojë konsensus ndërkombëtar për një seri masash të mundshme ndëshkimore, Gjermania mbetet qartësisht në një rol kryesor. Marrja e mbështetjes së saj do të jetë kyçe për mesazhin që jepet dhe për zbatimin e vendimeve që do të merren.

Zonja Baerbock është kryediplomatja e qeverisë së parë gjermane në 16 vite që nuk drejtohet nga Angela Merkel. Ajo ka mbajtur një ton më të ashpër për Rusinë se paraardhësi i saj. Por, Gjermania ka mbajtur një qëndrim shumë më pak konfrontues me Rusinë, krahasuar me shumë vende të tjera evropiane.

Lidhjet e biznesit të Gjermanisë me Rusinë mund të shërbejnë si formë ndikimi, por ato mund të rezultojnë edhe në një pengesë për krijimin e një fronti të bashkuar ndaj Moskës. Megjithë kritikat e forta nga Shtetet e Bashkuara, qeveria e qendrës së majtë e Kancelarit të ri Olaf Scholz nuk është treguar e gatshme të bllokojë fillimin e funksionimit të një gazsjellësi të ri që lidh Rusinë me Gjermaninë – një lëvizje kjo që do të dëmtonte të dyja vendet.

Nën drejtimin e zonjës Merkel, Gjermania bindi administratën e Presidentit Biden vitin e kaluar të mos vendoste sanksione ndaj kompanisë që ndërtonte gazjellësin Nord Stream 2, që shumë njerëz besojnë se do ta vendosë Evropën në dorën e Rusisë për sa i përket energjisë, dhe do ta lërë Ukrainën më të ekspozuar.

Sekretari Blinken vuri në dukje se gazsjellësi, megjithëse i përfunduar, ende nuk ka filluar funksionimin dhe se kalimi i gazit përmes tij nuk do të jetë shumë i mundshëm nëse Rusia pushton Ukrainën.

“Nëse Rusia përsërit agresionin e saj ndaj Ukrainës, do të ishte vërtet e vështirë që gazi të kalojë nëpër këtë tubacion në të ardhmen”, tha ai. Kjo i jep realisht ndikim BE-së mbi Rusinë, tha ai, dhe jo e kundërta.

Zonja Baerbock nuk iu referua konkretisht çështjes nëse gazsjellësi do të funksiononte në rastin e një ndërhyrjeje ruse.

Nord Stream 2 përfaqëson një temë shumë shqetësuese për Uashingtonin. Kongresi pritet të shqyrtojë dy projektligje të lidhura me të si dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë javën e ardhshme, pikërisht ndërsa do të jenë duke u zhvilluar takimet në Evropë. Një projektligj i propozuar nga republikanët do të vendoste automatikisht sanksione ndaj gazsjellësit Nord Stream, ndërsa një version demokrat parashikon ndërmarrjen e një sërë masash më të gjera ndëshkimore në rast se Rusia do të sulmonte Ukrainën.

Si ligjvënësit demokratë, ashtu dhe ata republikanë në Uashington thonë se Rusia ka rritur ndikimin ndaj Gjermanisë nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 2, dhe se kjo mund të kufizonte veprimet që Berlini do të mund të ishte i gatshëm të ndërmerrte në rast të një sulmi. Gjermania, ashtu si pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian, mbështetet shumë tek gazi natyror rus.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.