Sërish rritje të rasteve me Covid-19 në Europë

Europa po njeh sërish një rritje të infektimeve të reja me Covid-19. Mbi 500 mijë infektime u konfirmuan vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë kontinentin. Thuajse gjysma e rasteve, rreth 214 000 i përkasin Gjermanisë, e cila ka shënuar një trend rritës pergjatë gjithë javës së fundit. Ndërsa numri i viktimave ditore raportohet ne 159.

Në Francë rezultuan mbartës së Covid-19 rreth 30 000 persona, ndërsa numri i vdekjeve në 24 orët e fundit është 149. Sa i përket statistikave javore, infektimet kanë shënuar një rritje prej 43% krahasuar me javën paraardhëse.

Në Mbretërinë e Bashkuar u konfirmuan mbi 46 000 infektime te reja, ndërsa 73 persona të tjerë humbën jetën.

Rritje të rasteve ka shënuar edhe Italia e Austria e nxitur nga nënvarianti i Omicron BA.2. Ky nënvariant është tani mbizotërues në mbarë botën, me gati 86% të të gjitha rasteve, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Fakti që ai është më i transmetueshëm se variantet e tjera mendohet nga shkencëtarët si një shpjegim i mundshëm për rritjen e infektimeve në Europë dhe botë, e një tjetër shkak mund të jetë fakti se shumë vende hoqën njëkohësisht kufizimet dhe maskat.

Moska paralajmëron bllokimin e gazit për BE-në. Kriza e çmimeve të energjisë rrezikon të hyjë në një vorbull të paparashikuar, pas vendimit të Rusisë për të pranuar vetëm pagesa në Rubla për gazin që u shet vendeve europiane.

Krerët e vendeve të G7-ës refuzojnë të blejnë Rubla dhe t’ia shlyejnë detyrimin Moskës me monedhën e saj kombëtare. Por Kremlini paralajmëron se do të mbyllë rubinetat e gazit për të gjitha vendet jo-miqësore, ku bëjnë pjesë edhe ato perëndimore, që nuk i shlyejnë me Rubla detyrimet.

Zyrtarët e BE-së e quajtën të jashtëligjshëm kushtin e Rusisë, pasi sipas tyre kontratat e nënshkruara me Moskën parashikojnë pagesa me Euro.

Sakaq, çmimi i naftës së papërpunuar pësoi ulje në ditët e para të kësaj jave, pas rekordit mujor që arritën të mërkurën e kaluar.

Një fuçi naftë e papërpunuar e tregtua deri në 107 Dollarë në bursën e Teksasit dhe gati 114 Dollarë në atë të Londrës, këtë të martë. Çmimi i kësaj të marte është 10 Dollarë më i ulët krahasuar me rekordin e javës së kaluar.

Ndikim në reduktimin e çmimit jep kryesisht samiti i OPEC-ut i të enjtes, ku ka shpresa për shtimin e sasisë së naftës bruto në tregje me 400 mijë fuçi në ditë.

Ndikim në rekordin e përkohshëm të javës së kaluar pati sulmi ndaj disa depozitave në Arabinë Saudite dhe samiti i BE-së ku u diskutua bllokimi i importit të naftës ruse. Situata në tregun e energjisë është e brishtë prej trazirave të krijuara nga sulmi rus në Ukrainë.

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.