Rusia gjobit “Google” me 98 milionë dollarë

Rusia rrit presionin ndaj kompanive të mëdha të internetit.

Sipas një gjykate në Moskë, “Google” nuk ka fshirë përmbajtje “ilegale” dhe prandaj u gjobit me rreth 98 milionë dollarë.

Një gjykatë në Moskë gjobiti “Google” me 7.2 miliardë rubla. Arsyeja e dhënë nga gjykata është se kompania amerikane e internetit ka dështuar në mënyrë të përsëritur të fshijë përmbajtje që Rusia i konsideron të paligjshme.

“Google” tha se do të rishikonte vendimin dhe më pas do të vendoste për hapat e mundshëm.

Për herë të parë sasia e gjobës u bazua mbi një përqindje të caktuar të xhiros vjetore që “Google” gjeneron në Rusi – gjë që rrit masën e gjobës.

Megjithatë gjykata nuk e specifikoi se sa e lartë është kjo përqindje. Sipas llogaritjeve, ajo është pak më shumë se tetë për qind.

Vlera e dënimit është rreth 98 milionë dollarë.

Qeveria e Moskës e ka shtuar presionin ndaj koncerneve të mëdha të teknologjisë këtë vit. Kritikët e konsiderojnë këtë si një përpjekje të qeverisë për të kontrolluar internetin në mënyrë më strikte. Ata kanë frikë se me këtë kërcënohet liria e individëve dhe e kompanive.

Autoritetet argumentojnë se kompanitë e internetit duhet të fshijnë postimet që promovojnë abuzimin me drogën ose që përmbajnë informacione rreth armëve dhe eksplozivëve të bërë vetë.

Po ashtu, nuk duhet të shpërndahen informacione që lidhen me organizata terroriste.

Në muajin shtator, një gjykatë në Moskë dënoi “Facebook”-un me një gjobë rreth 245,000 euro.

Shërbimi online “Twitter” u gjobit me 58,200 euro. Gjoba e tanishme ndaj “Google” arritur kështu dimensione të reja. /DW

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.