Rusia arreston 14 persona të dyshuar si haker me kërkesë të SHBA

Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur veprimin e Rusisë për arrestimin e disa pjesëtarëve të dyshuar të një grupi hakerësh, përfshirë personin që dyshohet se qëndron prapa sulmit kibernetik ndaj një rrjeti amerikan të karburanteve.

“Jemi të kënaqur me këto veprime fillestare”, tha të premten një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara presin që Rusia t’i ndjekë penalisht hakerët e dyshuar, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.

Shërbimi Federal i Sigurisisë i Rusisë tha më herët të premten se ka arrestuar 14 anëtarë të dyshuar të grupit “Sodinokivi/REvil” me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.

Të dyshuarit u kapën në Moskë, Shën Petersburg dhe në rajone të tjera përmes një hetimi të përbashkët nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) dhe Ministria e Brendshme.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane tha se njëri nga të arrestuarit në Rusi dyshohet se ka qenë prapa sulmit kibernetik kundër kompanisë “Colonial Pipeline” në maj të vitit të kaluar.

Sulmi e kishte detyruar kompaninë që si masë parandaluese ta mbyllte rrjetin e transportimit të karburanteve, që shtrihet nga Teksasi në Nju Xhersi dhe që e bart gati gjysmën e karburanteve për Bregdetin e Atlantikut, duke shkaktuar mungesë të përkohshme të derivateve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.