Protestë në mbrojtje të emigrantëve në kufirin Kroaci-Bosnje

Mbi 100 njerëz nga vende të ndryshme evropiane bllokuan për pak orë kalimin kufitar midis Kroacisë dhe Bosnjës, duke kërkuar që të respektohen të drejtat e njeriut për emigrantët që hyjnë në Bashkimin Evropian.

Anëtarët e OJQ-ve për të drejtat e njeriut, kryesisht nga Italia, por edhe nga Gjermania, Austria, Spanja dhe Sllovenia, arritën të bllokojnë trafikun kufitar për disa orë, duke parkuar makinat e tyre në mes të vijës kufitare. Kalimi kufitar që lidh BE-në me Bosnjën veriperëndimore shpesh është përdorur nga emigrantët që përpiqen të kalojnë në bllok.

“Ka njerëz që na mbështesin nga Spanja, Gjermania, Franca, nga Austria, ka njerëz që vijnë edhe nga Sllovenia. Të gjitha këto organizata, si qytetarë evropianë, janë të sëmurë nga politikat evropiane për migracionin. Ne jemi këtu për të protestuar kundër kësaj, ne jemi këtu për të shfuqizuar ‘Frontex’, ne jemi këtu që t’i jepen të drejtat themelore çdo qenieje njerëzore”, u shpreh Francesco Cibati, president i një organizate italiane për të drejtat e njeriut.

Protestuesit kërkuan që kthimet e dhunshme të emigrantëve, të pretenduara se janë kryer nga policia kroate, të ndalen menjëherë. Policia kroate nuk reagoi ndaj protestës dhe demonstrata u shpërnda shpejt. Por, protestuesit thanë se ata do të kthehen, duke kërkuar ndalimin e dëbimit të emigrantëve nga BE dhe që unioni të japë azil për ata që kanë nevojë për të.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.