Përvjetori i votimit të Berlinit si kryeqytet

Më 20 qershor 1991, Bundestagu votoi në kryeqytetin e atëhershëm Bon, që Berlini të ribëhej kryeqytet dhe qeveria dhe parlamenti të zhvendoseshin atje. Vendimi shumë lehtë mund të merrej edhe ndryshe.Vera e vitit 1991, Gjermania ishte ribashkuar tetë muaj më parë – pas 45 vitesh. Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) dhe socializmi i përkisnin tashmë historisë. Vendi dhe populli ishin ribashkuar tani në kuadrin kushtetues të Republikës Federale të Gjermanisë. Ajo qeverisej nga Boni buzë lumit Rin që prej vitit 1949. Boni ndodhet në perëndim të Gjermanisë – rreth 100 kilometra larg kufirit me Holandën si dhe 230 kilometra nga Brukseli, kryeqytetit të Evropës. Distanca shumë më të afërta krahasuar me Berlinin: 600 kilometra në lindje, afër Polonisë. Rruga deri atje kalon nëpër landet lindore, të cilat tani u riintegruan me Gjermaninë Perëndimore.

Franca në Perëndim, Austria në Jug e Danimarka në Veri janë pikat referuese të gjithë gjermanëve që jetonin në pjesët perëndimore. Dekada të ndarjes politike dhe ideologjike kanë lënë gjurmët e tyre. Në këtë situatë, 660 anëtarë të Bundestagut gjerman duhet të marrin një vendim me rëndësi historike më 20 qershor 1991: A duhet që Parlamenti dhe qeveria të mbeten në Bon apo duhet të kthehen në Berlin? Pra, në qytetin që ishte kryeqytet prej themelimit të Perandorisë Gjermane në vitet 1871 deri më 1945.

Boni ishte zgjidhje e përkohshme

Një vend i rënduar shumë historikisht, nga i cili filluan dy luftëra botërore. Pas Luftës së Dytë Botërore, Berlini u shndërrua në një metropol në “pension”, i ndarë në lindje dhe perëndim, përmes të cilit kalonte një mur i lartë prej betoni dhe tela me gjemba që nga viti 1961. E tani sërish ky Berlin i njollosur nga e kaluara duhej të bëhej qendra politike e Gjermanisë më të madhe dhe më të fuqishme? Kur u themelua Republika Federale, nuk kishte asnjë dyshim, sepse burrat dhe gratë e Bundestagut e shikonin Bonin vetëm si një “seli të përkohshme”. Në këtë kuptim ishte thënë shumë qartë: “Organet drejtuese federale do të zhvendosin selinë e tyre në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, sa më shpejt që të mbahen zgjedhje të përgjithshme, të lira, të barabarta, të fshehta dhe të drejtpërdrejta në të gjithë Berlinin, pra edhe në zonën e okupimit Sovjetik. Bundestagu më pas do të mblidhet në Berlin.”

Katër ditë para vendimit – Berlini kishte pak shanse

Pak vite pas përfundimit të Luftës, ende kishte shpresë të madhe për një ribashkim të shpejtë të Gjermanisë. Askush nuk mund ta merrte me mend se do të duheshin mbi katër dekada. Por me kalimin e kohës, gjermanët u larguan gjithnjë e më shumë mes tyre. Ndaj kthimi i institucioneve në Berlin nuk ishte çështje e natyrshme. Neni 2 i Traktatit të Unifikimit të 31 gushtit 1990 parashikon: “Kryeqyteti i Gjermanisë është Berlini. Çështja e selisë së parlamentit dhe qeverisë do të vendoset pas bashkimit të Gjermanisë.”

Më pak se një vit më vonë, erdhi momenti i së vërtetës – dhe asokohe gjithçka fliste për Bonin. Katër ditë para votimit, vetëm 267 deputetë votuan në favor të Berlinit, ndërsa 343 në favor të Bonit. Ndërsa me rastin e betimit, më 20 qershor 1991, pas një debati njëmbëdhjetë orësh, rezultoi Berlini kryesues me 338 vota, ndërsa për Bonin kishin votuar 320 deputetë. Ka pasur shumë spekulime dhe debate se kush e ndryshoi mendimin në momentin e fundit. Një ndër emrat e përmendur edhe sot është – Wolfgang Schäuble.

Willy Brandt falënderoi personalisht Wolfgang Schäublen

Kreu i sotëm i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, atëherë 48 vjeç, foli si askush tjetër për historinë përplot me ndryshime të kryeqytetit të vjetër dhe të ri. Ai kujtoi urën ajrore të fuqive fitimtare perëndimore të Luftës së Dytë Botërore, kur Bashkimi Sovjetik i Stalinit bllokoi pjesën e lirë të Berlinit më 1948/49. Schäuble nuk la asnjë ngjarje historike pa përmendur: kryengritja popullore e RDGJ-së më 17 qershor 1953, ndërtimi i Murit të Berlinit në gusht 1961, rënia e Murit më 9 nëntor 1989 dhe së fundi ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990. Demokristiani theksoi: “Berlini ka qenë gjithmonë si asnjë qytet tjetër simbol i unitetit dhe i lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës për të gjithë Gjermaninë”.

Ky solidaritet i botës së lirë me unitetin dhe lirinë e gjermanëve nuk është shprehur askund më fort sesa në Berlin, tha Schäuble dhe shtoi: “A do të ribashkoheshim sot vërtet pa Berlinin? Nuk mendoj kështu”. Qindra deputetë u ngritën nga vendet e tyre pas këtij fjalimi dhe e duartrokitën Schäublen për disa minuta. Ish-kancelari Willy Brandt, bartës i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish-kryetar i Bashkisë në Berlinin Perëndimor, falënderoi Schäublen personalisht me një shtrëngim duarsh.

Alexander Kudascheff – dëshmitar i “betejave të vërteta me fjalime”

“Ky debat ishte një prej pikave kulmore të Bundestagut gjerman”, thotë Alexander Kudascheff, i cili asokohe ishte korrespondenti kryesor i Deutsche Welles. Një ekspert, për një kohë të gjatë dhe vëzhgues i skenës politike në Bon, pastaj për shumë vite në Bruksel, së fundmi kryeredaktor i DW, e tani në pension. “Beteja të vërteta fjalimesh”, ka pasur, “të mbështetura vetëm tek autoriteti i argumentit”. Kancelari federal Helmut Kohl (CDU), ministri i Jashtëm Hans-Dietrich Genscher (FDP), Socialdemokratët e mëdhenj Willy Brandt dhe Hans-Jochen Vogel – të gjithë ishin për Berlinin.

“Gjërat dukej se po shkonin në një drejtim tjetër”, kujton Kudascheff orët dramatike. “Papritur funksionarët e lartë e të moshuarit në politikë dukeshin se i përkisnin së shkuarës”. Wolfgang Schäuble ishte ai që i dha një kthesë debatit. “Ulur në karrocën e invalidit, me pasion, me një frymë historike, me një retorikë brilante. Qysh gjatë fjalimit mund të ndjehej: Ky është një moment historik.”

Ish-ministri Baum ishte kundër

Menjëherë pas tij foli liberali, ish-ministri i Brendshëm gjerman Gerhart Baum. I lindur në Dresden (pra në lindje), i rritur dhe socializuar politikisht në Rheinland (pra në perëndim). Ai u dakordua me Schäublen: Berlini është një simbol i lirisë dhe sundimit të ligjit në një mënyrë të veçantë. “Por a nuk është edhe Boni një simbol i 40 viteve të demokracisë së suksesshme, e cila përcaktoi reputacionin e Republikës Federale të Gjermanisë në botë dhe e çoi deri në fund integrimin e saj evropian, që hapi perspektivën e ribashkimit?”

Angazhimi i Baumit për Bonin rezultoi pa sukses. As tridhjetë vjet më vonë, ai nuk e ka humbur skepticizmin e tij ndaj Berlinit: “Unë jam akoma i mendimit se largimi nga një kryeqytet i modës së vjetër dhe forcimi i një shteti pluralist me shumë qendra do të kishte qenë një alternativë e vlefshme”, thotë 88- vjeçari për DW. “Klima politike në Bon ishte e mirë për republikën”. Por ka pasur argumente të forta edhe në favor të Berlinit. Një qytet me ndërtesa të mëdha dhe peizazh magjepës për mediat.

Shpresat e zhgënjyera

Ngjashëm mendon edhe profesionisti i medias Kudascheff. “Republika e Berlinit është një fluskë politike dhe mediatike.” Ajo është larguar nga njerëzit dhe nga problemet e tyre. Është një qendër “histerike, shumë e ngathët, e fiksuar tek titujt, indiskrete”. Në qytetin e madh politik të Berlinit ka ende shumë provincializma, “por pa sharmin e provincave”. Gjithçka është grupuar rreth Kancelarisë, rreth Reichstagut – ministritë, shoqatat, mediat, grupet e lobimit. “Për mua ky është zhgënjim”.

Dagmar Enkelmann i ndërlidh zhgënjimet me kalimin e kryeqytetit nga Boni në Berlin. Në votimin e vitit 1991, ajo ishte një nga 18 anëtarët e Partisë Socialiste Demokratike (PDS), e cila formoi një grup parlamentar me Listën e Majtë. “Shpresa jonë ishte që me zhvendosjen, do të rritet edhe kurreshtja për të kuptuar jetën në shtetet e reja federale dhe se kështu më shpejt do të barazoheshin kushtet e jetesës në Lindje dhe Perëndim”, thotë Dagmar Enkelmann për DW.

Zhvendosja ishte “akt simbolik”

“Kjo nuk u bë realitet, pendohet kryetarja e tanishme të Fondacionit Rosa Luksemburg. Votimi i datës 20 qershor 1991, ishte mbi të gjitha një “akt simbolik”. Është gabim që edhe sot 30 vjet pas këtij vendimi historik, gjashtë ministri federale ende e kanë selinë e tyre të parë në Bondhe janë të ndara. Administrata është fryrë, nuk ka kursime kostosh. Konkluzioni i Dagmar Enkelmann: landet e reja federale janë për disa njerëz në qeveri ende “të largëta”, janë ende në “Lindjen e largët”, sepse ata nuk dinë të vlerësojnë “arritjet e unitetit”./DW

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.