Olaf Scholz telefonon Putinin: Ndale luftën tani
Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Presidentit rus Vladimir Putin të vendoset sa më shpejt armëpushim në luftën e Ukrainës.
Scholz ka tërhequr vëmendjen për përgjegjësinë e Rusisë në gjendjen globale të ushqimeve.
Pas gjashtë javësh heshtjeje, kancelari gjerman dhe Presidenti rus kanë biseduar sërish në telefon.
Gjatë telefonatës, Scholz ka kërkuar fundin e menjëhershëm të luftës në Ukrainë: “Sa më shpejt duhet të ketë një armëpushim në Ukrainë”, deklaroi politikani socialdemokrat përmes “Twitter”.
“Hamendësimi se atje sundojnë nazistët, është i gabuar”, shtoi ai.
Scholz gjithashtu i ka tërhequr vëmendjen Putinit “për përgjegjësinë e Rusisë në gjendjen globale të ushqimeve”.
Një zëdhënës qeveritar shtoi, se telefonata që ka zgjatur 75 minuta është zhvilluar të premten (13.05) paradite.
Scholz i ka kërkuar Presidentit rus përmirësimin e gjendjes humanitare dhe përparime në kërkim të një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit.
Agjencia ruse e lajmeve “Tass” më parë njoftoi, se Putin i ka thënë kancelarit Scholz në telefon, që bisedimet e paqes bllokohen nga udhëheqja ukrainase në Kiev.
Putin dhe Scholz kanë rënë dakord, që të vazhdojnë bisedimet në nivele të ndryshme për Ukrainën.
Scholz e komunikoi telefonatën me Putinin në mëngjes në komisionin e mbrojtjes në Bundestag. Ai bëri të qartë, sipas të dhënave të pjesëmarrësve në këtë mbledhje, se “qëllimi duhet të jetë rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës” dhe jo “një paqe e ngrirë, gjatë së cilës Rusia të vazhdojë të mbajë territoret e pushtuara”.
Sorry, the comment form is closed at this time.