OBSH: Varianti “Delta” do të dominojë botën muajt e ardhshëm

Varianti “Delta” i Covid-19 pritet të bëhet varianti dominues gjatë muajve të ardhshëm, – tha të mërkurën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Varianti i ri, i zbuluar për herë të parë në Indi, tani është regjistruar në 124 vende, 13 më shumë se javën e kaluar, – njoftoi OBSH.

Pritet që mutacioni ‘Delta’ të tejkalojë me shpejtësi variantet e tjera dhe të bëhet lloji kryesor, dominues gjatë muajve të ardhshëm”, tha agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara, në raportin e përjavshëm epidemiologjik.

Nga tri variantet e tjera të koronavirusit, mutacioni ‘Alfa’, zbuluar së pari në Britani, është raportuar në 180 vende (gjashtë më shumë se javën e kaluar), “Beta”, i zbuluar së pari në Afrikën e Jugut, në 130 (shtatë më shumë) dhe “Gamma”, i zbuluar për herë të parë në Brazil, në 78 (tre më shumë).

Gjatë katër javëve të fundit deri në 20 korrik, përhapja e variantit “Delta” tejkaloi 75% në disa vende, përfshirë Australinë, Bangladeshin, Botsvanën, Britaninë, Kinën, Danimarkën, Indinë, Indonezinë, Izraelin, Portugalinë, Rusinë, Singaporin dhe Afrikën e Jugut.

OBSH tha se 3.4 milionë raste të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë, 12% më shumë se një javë më parë.

‘Me këtë ritëm, pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milionë në tri javët e ardhshme”, paralajmëroi OBSH.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka infektuar deri tani mbi 191.5 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 4.1 milionë kanë vdekur. Janë injektuar mbi 3.9 miliardë vaksina në të gjithë botën.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.