OBSH-ja kërkon fonde, të sigurohen vaksina për vendet në nevojë
Organizata Botërore e Shëndetësisë, nëpërmjet fjalimit te Drejtorit të Pergjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se nevojiten veprime dhe fonde shtesë që vaksinat e koronavirusit të jenë të disponueshme në të gjithë botën.
Gjatë një komunikimi për COVID-19 në selinë e OBSH-së në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus nuk ka lënë pa përshëndetur Britaninë për nisjen e fushatës së vaksinimit por edhe vendet e tjera që janë në prag të miratimit.
Drejtori i OBSH-së e cilësoi si një “arritje mahnitëse shkencore” gjetjen e një vaksine të sigurtë për një virus të panjohur.
Ai vuri në dukje se do të ishte një arritje edhe më e madhe nëse të gjitha vendet do të kenë qasje të barabartë te këto vaksina.
Sipas tij, OBSH-së i duhen 4.3 miliardë dollarë për të siguruar vaksina për vendet në nevojë dhe u bëri thirrje donatorëve të ndihmojnë për të plotësuar financimin e munguar.
Drejtori i Përgjithshëm tha se organizata po punon me partnerët e saj në mënyrë që vendet në zhvillim të kenë infrastrukturën e duhur për shpërndarjen e vaksinave te popullatat e tyre. Më tutje ai tha se OBSH-ja, përmes projektit të saj të bashkëpunimit për vaksinat COVAX dhe 189 vendeve pjesëmarrëse, ka siguruar gati një miliard doza të tre vaksinave të mundshme.
Sorry, the comment form is closed at this time.