Nis vaksinimi në Britaninë e Madhe. E para, një 90-vjeçare

Një 90-vjeçare ishte para që mori vaksinën e “Pfizer” në Britaninë e Madhe, e cila nis sot programin e vaksinimit.

Margaret Keenan, e cila javën e ardhshme mbush plot 91 vjeç, tha se kjo ishte “dhurata më e mirë për ditëlindjen e saj”.

Ajo mori injeksionin në orën 06.30 dhe e para nga 800 mijë dozat e vaksinës “Pfizer/BioNtech” që do të jepet në javët në vijim. Katër milionë doza të tjera priten deri në fund të muajit.

Dozat e vaksinës janë shpërndarë në gjithë vendin.

Në Angli, 50 spitale janë përzgjedhur si qendra të administrimit të vaksinës. Nesër është fillimi i fushatës më të madhe të vaksinimit.

Spitalet do te kontaktojnë pacientët që do të vaksinohen fillimisht, dhe vaksinimi do bëhet në spital. Kjo vaksinë duhet të mbahet ne temperaturën -70 gradë, gjë që e bën të vështirë menaxhimin e saj në qendrat mjekësore.

Më vonë, qendrat mjekësore dhe farmacitë do të kenë mundësi të menaxhojnë vaksinën të paktën deri në pranverë.

Britania ka porositur 40 milionë doza te vaksinës “Pfizer/Biontech”, që janë të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë vetë, pasi duhen dy doza vaksine, me tre javë distancë njëra nga tjetra.

Por ndërsa shumë njerëz duan t’a bëjnë vaksinën sa më shpejt që të jetë e mundur, të tjerë janë të shqetësuar se si do të fusin në trup një element të huaj.

Për të bindur popullin se vaksina është e sigurt, Mbretëresha Elisabeth dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar se do ta bëjnë vaksinën.

Po kështu, edhe shumë personalitete do ta bëjnë vaksinën në publik.

Ky është vetëm fillimi, beteja kundër Covid nuk ka përfunduar, përkundrazi. Kjo është një maratonë dhe sot hidhen vetëm hapat e para te saj.

Janari është një muaj delikat, pasi ekziston mundësia e shtimit të rasteve, nëse nuk zbatohen masat e duhura.

Ditën e hënë qeveria njoftoi se 14,718 vetë kishin rezultuar pozitivë, ndërsa 189 vetë kishin humbur jetën, duke e çuar numrin e vdekjeve në 61,434.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.