Merkel në Izrael: Gjermania ende mban përgjegjësi për holokaustin

Kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania ende mban përgjegjësi për Izraelin, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Naphtali Bennett.

“Holokausti është, natyrisht, një ngjarje unike për të cilën ne vazhdojmë të mbajmë përgjegjësi. Në çdo fazë të së kaluarës dhe të së ardhmes”, u tha Merkel sot gazetarëve.

Nga ana e tij, Bennett tha se Merkel, e cila do të tërhiqet nga politika pasi të përfundojnë bisedimet për koalicionin e ri qeveritar në Gjermani pas zgjedhjeve të shtatorit, është busulla morale e të gjithë kontinentit evropian.

Ai vlerësoi rolin e politikanes 67-vjeçare në konsolidimin e marrëdhënieve të veçanta midis dy vendeve bazuar në plagën e thellë historike të shkaktuar nga Gjermania naziste ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore.

Kancelarja gjermane do të zhvillojë bisedime me presidentin Isaac Herzog dhe ministrin e Jashtëm, Yair Lapid për herë të parë që kur qeveria dhe presidenti filluan mandatet e tyre në qershor dhe korrik.

Fokusi i bisedimeve pritet të jetë programi bërthamor i Iranit, çështja e pavarësisë së shtetit palestinez dhe çështje të tjera bilaterale.

Angela Merkel planifikoi një vizitë në Izrael në fund të gushtit, por ajo u shty për shkak të zhvillimit dramatik të situatës në Afganistan.

Kancelarja, në prani të Bennett planifikon të vendosë një kurorë në Qendrën Përkujtimore Yad Vashem në Jeruzalem.

Merkel do të marrë një doktoratë nderi nga Instituti Izraelit i Teknologjisë, Technion në Haifa në Izraelin verior. Merkel dhe Bennett më pas do të takohen së bashku me përfaqësuesit e kompanisë.

Kancelarja do të udhëtojë për në Gjermani të hënën.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.