Më shumë se 2 milionë njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Europë

Më shumë se dy milionë njerëz në Evropë në 53 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë vdekur si pasojë e infeksionit me koronavirus, njoftoi organizata të enjten.

Rajoni Evropian i OBSH-së shtrihet nga Grenlanda në brigjet ruse të Paqësorit dhe përfshin vendet e Azisë Qendrore si dhe Turqinë. OBSH e quajti numrin “shkatërrues”, por tha se ky numër ishte ndoshta vetëm një pjesë e vdekjeve të shkaktuara drejtpërdrejt nga Covid-19 dhe efektet indirekte të pandemisë gjatë dy viteve.

Megjithëse numri i rasteve të reja të infektuara është në rënie, ai është ende shumë i lartë, njoftoi të enjten zyra rajonale e OBSH-së në Kopenhagë.

Koronavirusi është “ende një virus vrasës, veçanërisht për njerëzit e pavaksinuar dhe klinikisht të cenueshëm”, thuhet në deklaratë.

Sipas agjencisë Reuters, Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë regjistruar më shumë se një milion vdekje nga COVID-19, që është një numër dikur i paimagjinueshëm i tejkaluar dy vjet pas shfaqjes së kësaj sëmundjeje në Shtetet e Bashkuara.

Me 6.7 milionë vdekje të konfirmuara në botë, nuk ka shumë vende në planet që nuk janë shkatërruar nga kjo sëmundje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri aktual i viktimave – përfshirë ata që vdiqën nga komplikimet e COVID-19 si dhe ata që vdiqën nga pasojat indirekte të shpërthimit të pandemisë – është ndoshta më afër 15 milionë.

Megjithëse bota deri më tani ka filluar kryesisht të kthehet në “normalitetin e vjetër”, shkencëtarët tashmë po punojnë për një dozë të re përforcuese sepse virusi vazhdon të ndryshojë.

“Assesi nuk ka mbaruar,” tha Anthony Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i presidentit amerikan Joe Biden.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.