Mazi, takime në Pragë: Shqipëria pret vendimet e duhura nga BE

Në kuadër të takimeve zyrtare në kryeqytetet e vendeve të ndryshme të BE, Kryenegociatori i Shqipërisë për aderimin në BE, Zef Mazi, u prit sot në takim në Pragë dhe zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jakub Kulhanek.

Mazi e njohu ministrin çek me përmbushjen e plotë të kërkesave të Këshillit Evropian të marsit 2020 nga Shqipëria.

Ai nënvizoi se Shqipëria jo vetëm i ka plotësuar të gjitha kërkesat, por ajo do vijojë pa ulur aspak ritmin në fushën e reformave.

“Kjo është në të mirën e vendit dhe popullit shqiptar. Rezultatet janë të prekshme, të rëndësishme, rekordi i tyre vjen në rritje të domonstrueshme qartë për këdo”, tha ai.

Kryenegociatori Mazi nënvizoi meritat individuale të vendeve, si kriteri bazë vlerësues i përcaktuar nga BE.

“Mospërcaktimi i datës për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare nga Këshilli Evropian shton lodhjen, rrit mosbesimin dhe ul kredibilitetin e BE-së në sytë e popullit të vendit tonë dhe të tjerëve. Shqipëria pret që BE të marrë vendimet e duhura pasi Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe po vijon me konsistencë reformat e ndërmarra. Problemet e identitetit dhe ndoshta nacionaliste mes vendeve të tjera nuk duhet të marrin peng rrugëtimin europian të Shqipërisë”, ka theksuar Mazi.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm çek Kuhlanek, vlerësoi gjithë punën e kryer nga Shqipëria në kuadër të integrimit europian.

Për ministrin çek, Shqipëria duhet të mbajë sa më shpejt konferencën e parë ndërqeveritare. Prioriteti i Çekisë është hapja e bisedimeve teknike të aderimit me Shqipërinë.

Sipas ministrit, Shqipëria ka bërë reforma të qëndrueshme në drejtësi dhe siguri. “Republika Çeke do të mbështesë këtë projekt dhe Shqipëria mund të mbështetet tek Çekia”, shtoi ai.

Po ashtu, ministri Kulhanek nënvizoi se “Çekia ka pritshmëri të lartë nga Presidenca sllovene, ku Ballkani Perëndimor do të jetë në fokus. Ashtu do jetë Ballkani Perëndimor edhe për Presidencën çeke në gjysmën e dytë të vitit 2022″.

Sipas tij, BE-ja duhet të marrë një vendim për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.