Lufta/ Për sa sekonda rusët mund të godasin Tiranën?

Nuk ka dyshime se frika më e madhe me të cilën kontinenti evropian përballet muajt e fundit, është ajo e shpërthimit të një Lufte të Tretë Botërore, pas agresionit rus në Ukrainë.

Fakti se Moska ka vendosur në gjendje gatishmërie armët bërthamore, pas mësymjes në territorin ukrainas, ka bërë që shumë të mendojnë për pasojat që mund të ketë situata, nëse ajo agravohet.

Nuk ka dyshime se shpërthimi i një lufte të radhës bërthamore, do të kishte efekt shkatërrues për të gjithë Evropën.

Më kuriozët, ndërkaq, kanë filluar të bëjnë llogaritë se çfarë mund të ndodhë.

Skenarët janë të frikshëm edhe për Ballkanin.

Armët bërthamore ruse ruhen në një rajon të Siberisë, rreth 3 mijë kilometra në lindje të Moskës.

Por, nëse lufta e vërtetë shpërthen, atëherë ato me gjasë do të lëshohen nga rajoni i Kaliningradit, zonë që është edhe më e afërta me shtetet evropiane.

Fizikantë të shumtë kanë bërë përllogaritje të ndryshme, bazuar në shpejtësinë e raketave bërthamore dhe trajektoret e tyre balistike, për të parë se sa do t’i duhej Rusisë në kuptimin kohor, për të goditur çdo kryeqytet evropian.

Është e kuptueshme se gjithçka mbetet në skenarin e hipotezës dhe duhet marrë me rezerva.

Në Tiranë, fjala bie, për të ardhur një raketë bërthamore nga Kaliningradi, do të duheshin 213 sekonda, ose 3.55 minuta.

Edhe më pak do të duhej që raketat të godisnin Prishtinën: 195 sekonda, ose ndryshe 3.25 minuta.

Kryeqyteti i parë që do të mund të goditej do të ishte Varshava, në vetëm 40 sekonda.

Vendet baltike do të ishin po ashtu ndër më të rrezikuarat, ku Vilniusi në Lituani do të goditej në 44 sekonda, Riga në Letoni në 48 sekonda dhe Talini i Estonisë në 84 sekonda.

Vendet më të zhvilluara, po ashtu do të mund të goditeshin brenda minutash.

Fjala bie, në Berlin, raketa do ta kishte rrugëtimin prej 106 sekondash, në Paris në 219 sekonda, teksa në Romë, në 219 sekonda.

Londra ndërkaq do të arrihej brenda 202 sekondash nga një raketë bërthamore ruse.

Disi “më me fat” do të ishin Madridi, që gjendet 367 sekonda larg apo Reykjaviku në Islandë, që ndodhet 367 sekonda larg në rrezen e raketave.

Kryeqyteti evropian më larg sulmit të mundshëm është Lisbona e Portugalisë. 405 sekonda për të qenë më të saktë, ose ndryshe, 6.75 minuta.

Gjithsesi, deri tani të paktën, nuk ka shenja se lufta bërthamore do të jetë e pranishme në kontinent. Për sa kohë situata do të jetë e tillë megjithatë, nuk dihet. /Albaniapost

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.