Lavrov ‘kërcënon’ Kroacinë: Qëndrim armiqësor ndaj nesh

Në përvjetorin e marrëdhënieve diplomatike, Kroacia ka marr një kërcënim serioz nga Ministria ruse e Punëve të Jashtme. Mediat kroate shkruajnë se institucioni që drejtohet nga Sergei Lavrov konsideron që ky vend ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Rusisë.

“Autoritetet kroate, këto muajt e fundit vendosën ta trajtojnë Moskën në mënyrë jashtëzakonisht armiqësore, çka është në kontrast të madh me arritjet tona dypalëshe”, thuhet në reagimin e MJP-së ruse.

Sipas tyre, Kroacia duhet të mendohet mirë e t`i kthehet rrugës së dialogut. “Ne besojmë se do të mbizotërojë gjykimi i shëndoshë dhe Kroacia do të kthehet në rrugën e dialogut konstruktiv”, theksohet në reagim.

25 maji shënoi 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Federatës Ruse dhe Republikës së Kroacisë. Presidenti kroat, Zoran Milanoviç në fund të janarit shkaktoi reagime me deklaratën e tij, kur bëri të ditur tërheqjen e vendit të tij në rast të një konflikti me Ukrainën.

“Në rast se vjen puna tek shkallëzimi, ne do të tërhiqemi deri në ushtarin e fundit kroat”, tha Milanoviç në Zagreb, pa saktësuar, se çfarë nënkuptonte me këtë se në Ukrainë nuk kishte asnjë ushtar kroat të stacionuar.

Por qeveria kroate reagoi menjëherë. “Presidenti nuk flet për Kroacinë, por për veten. Ne jemi dhe mbetemi një anëtare besnike e NATO-s”, theksoi ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.