Kroacia përfshin në flotën e saj ajrore 12 avionë luftarakë francezë

Kroacia do të sigurojë 12 avionë luftarakë francezë të përdorur F3R Rafale për të modernizuar forcën ajrore të vendit, njoftoi të premten kryeministri Andrej Plenkoviç.

“Ky është investimi më i madh në Forcat e Armatosura Kroate, investimi më i madh në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe sigurisë së qytetarëve kroatë”, tha kryeministri duke iu referuar çmimit prej 999 milionë eurosh.

Plenkoviç tha se data e njoftimit ishte e përshtatshme, pasi Kroacia po shënonte Ditën e Forcave të Armatosura dhe 30-vjetorin e formimit të forcave të saj të armatosura, të cilat luajtën një rol vendimtar në luftën për pavarësi 1991-1995.

Në tenderin për të blerë një gjeneratë të re avionësh luftarakë, përveç avionëve të zgjedhur francezë, gjithashtu konkurruan një F-16 Block 70 amerikan i ri, një JAS-39 Gripen suedez i ri dhe një F-16 Barak izraelit i përdorur.

Plenkoviç tha se oferta franceze ishte e preferuar sepse “për më pak para, Kroacia merr avionin më të vlerësuar dhe të mirëpajisur”.

Kroacia i pret avionët në fillim të vitit 2024 dhe, sipas Plenkoviç, çmimi prej 999 milionë eurosh përfshin gjithçka: “Avionë, simulatorë, pajisje dhe trajnim të pilotëve tanë të cilët do të qëndrojnë në Francë për dy vjet”. Ai akuzoi qeveritë e mëparshme për “dështimin për të marrë vendime që do të forconin më tej Forcën Ajrore Kroate”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.