Kreu i republikanëve në senat, Mc Conell uron Presidentin Biden për fitoren

Gjashtë javë pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA, kreu i shumicës republikane në senatin amerikan, Mitch McConnell e pranoi të martën se demokrati Joe Biden është presidenti i zgjedhur i vendit.
Senatori McConnell përgëzoi zotin Biden, ndërsa Presidenti Donald Trump vazhdoi pretendimet e tij se mashtrimet me votimet e privuan atë nga rizgjedhja.
Zoti McConnell, i cili nuk e kishte pranuar deri tani se zoti Biden kishte fituar, tha në një fjalim në Senat se Kolegji Zgjedhor konfirmoi të hënën fitoren e presidentit të zgjedhur me 306 vota elektorale, kundrejt 232 për Presidentin Trump.
“Që nga ky mëngjes, vendi ynë ka zyrtarisht një president të zgjedhur dhe një nënpresidente të zgjedhur. Miliona prej nesh kishin shpresuar që zgjedhjet presidenciale do të jepnin një rezultat tjetër. Por sistemi ynë i qeverisjes ka procese për të përcaktuar se kush do të bëjë betimin më 20 Janar. Kolegji Zgjedhor e tha fjalën e tij. Kështu që sot dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden,” tha senatori McConnell.
Presidenti Trump nuk reagoi menjëherë pasi senatori McConnell pranoi se zoti Biden do të jetë presidenti i 46-të i vendit.
Por ai shkruante në Twitter: “Prova të forta të shumta për mashtrime me votat. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë në vendin tonë!”
Twitter e shoqëroi postimin e zotit Trump, me shënimin “Ky pretendim në lidhje me mashtrimet zgjedhore është i pasaktë.”

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.