KiE nis procedurë kundër Turqisë për moslirimin e Osman Kavala

Këshilli i Evropës, organ për mbikëqyrjen e zbatimit të të drejtave të njeriut, i tha Turqisë të premten se është duke përgatitur procedura për shkelje për shkak të dështimit të saj për ta liruar nga burgu filantropin Osman Kavala. Kjo lëvizje mund të çojë në pezullimin e anëtarësisë së Turqisë në këtë institucion.

Paralajmërimi i Këshillit të Evropës, i lëshuar në linjë me një vendim të vitit 2019 të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e nxiti Turqinë që ta akuzojë organin me seli në Strasburg për përzierje në punën e gjykatave të saj të pavarura, shkruan Reuters.

Javën e kaluar, një gjykatë turke mori vendim që ta mbajë në burg Kavalanë, duke ia zgjatur mbajtjen 4-vjeçare në ndalim pa dënim në një proces gjyqësor që është bërë tendosje shtesë në raportet e trazuara të Ankarasë me aleatët perëndimorë.

“Duke dështuar që ta sigurojë lirimin e menjëhershëm të aplikuesit, Komisioni (i Ministrave) vlerëson se Turqia po refuzon t’i përmbahet gjykimit përfundimtar të Gjykatës (Evropiane për të Drejtat e Njeriut)  në këtë rast”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Evropës.

Këshilli i Evropës i kërkoi Ankarasë që ta paraqesë pikëvështrimin e saj për këtë rast deri më 19 janar të vitit 2022 dhe çështja më pas do t’i dërgohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në takimin pasues më 2 shkurt, thuhet më tej në deklaratë.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte vlerësuar se ndalimi i Kavalasë është politik dhe kishte bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij për shkak të mungesës së dyshimit të arsyeshëm se ka kryer shkelje. Turqia nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës Evropiane.

Ndaj vendimit të Këshillit të Evropës reagoi Turqia. “E ftojmë Këshillin e Evropës që të përmbahet nga vazhdimi i këtij vendimi, që do ta ketë cilësinë e ndërhyrjes në sistemin e pavarur gjyqësor”, tha Ministria e Jashtme e Turqisë.

Në tetor, presidenti turk, Rexhep Erdogan, kërcënoi se do t’i dëbonte ambasadorët e dhjetë shteteve, përfshirë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë e Francës, pasi këta të fundit bënë thirrje për lirimin e Kavalasë./Reuters/

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.