Inteligjenca amerikane: Ndryshimet klimatike do të sjellin tensione

Ndryshimet klimatike do të çojnë në rritjen e tensioneve ndërkombëtare, paralajmëron komuniteti i inteligjencës amerikane.

Sipas raportit të publikuar, vendet do të zihen për mënyrat e reagimit, ndërsa efektet do të ndihen më së shumti në vendet e varfra, të cilat kanë më pak kapacitete për t’u përshtatur.

Raporti vlerëson ndikimin e klimës në sigurinë kombëtare deri në vitin 2040.

Ai thotë se vendet do të përpiqen t’i mbrojnë ekonomitë e tyre dhe të kërkojnë avantazhe në zhvillimin e teknologjive të reja.

Sipas raportit, bota do të dështojë të bashkëpunojë dhe kjo do të sjellë konkurrencë të rrezikshme dhe paqëndrueshmëri.

Raporti prej 27 faqesh është i pari i tillë i publikuar nga të 18 agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara.

Ai vjen vetëm disa ditë para se presidenti amerikan, Joe Biden, të ndjekë një samit për klimën në Gllasgo të Skocisë, ku pritet të bëhen përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare.

Raporti identifikon 11 vende dhe dy rajone, ku energjia, ushqimi, uji dhe siguria shëndetësore janë në rrezik të veçantë.

“Ato janë më të varfra dhe më pak të afta për t’u përshtatur, gjë që e rrit rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe të konfliktit të brendshëm”, thuhet në raport.

Pesë nga 11 vendet janë në Azinë Jugore dhe Lindore: Afganistani, Birmania, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut; katër vende janë në Amerikën Qendrore dhe Karaibe: Guatemala, Haiti, Hondurasi dhe Nikaragua. Kolumbia dhe Iraku janë dy vendet e tjera.

Afrika Qendrore dhe shtetet e vogla në Paqësor janë gjithashtu në rrezik, thekson raporti./REL

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.