Holanda kryeson investimet e huaja për të dytin vit radhazi

Holanda rezultoi investitori më i madh i huaj në Shqipëri për të dytin vit radhazi në 2020. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet holandeze arritën vlerën e 206 milionë eurove, vlerë kjo që përbën rreth 22% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës. Vlera e investimeve holandeze ra me 21% vitin e kaluar, në linjë me ecurinë e përgjithshme në rënie të investimeve të huaja direkte.

Investimet holandeze lidhen në pjesën më të madhe kompaninë Statkraft Markets BV, pronare e shoqërisë Devoll Hydropower. Statkraft është shoqëri norvegjeze, por kontrolli i ndërmarrjeve shqiptare të angazhuara në prodhimin e energjisë hidrike dhe diellore në Shqipëri bëhet përmes një kompanie të regjistruar në Hollandë.

Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani offshore, ndaj edhe biznese të tjera në Shqipëri kontrollohen përmes kompanive të regjistruara aty. Këtu përfshihen edhe disa prej kompanive me interesa në fushën e koncesioneve, pas të cilëve qëndrojnë aksionerë shqiptarë.

Investitori i dytë më i madh dhe për vitin e kaluar vit ishte Zvicra, me 190 milionë euro. Vlera e tyre ra lehtë me shtatë milionë euro krahasuar me vitin 2019. Ecuria e investimeve zvicerane në vitet e fundit ka qenë e lidhur me ndërtimin e gazjellësit TAP, shoqëri shumëkombëshe, por e regjistruar në Zvicër. Edhe Zvicra është destinacion i përdorur shpesh për shoqëri offshore.

Italia ishte investitori i tretë më i madh për vitin 2020, me një fluks total prej 117 milionë eurosh. Investimet italiane pësuan rënie të lehtë me vetëm dy milionë euro krahasuar me një vit më parë. Nëse investimet zvicerane apo hollandeze janë të përqendruara në pak ndërmarrje dhe sektorë strategjikë, investimet italiane janë më të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në degët e shërbimeve.

Në rritje për vitin 2020 rezultuan investimet turke, që arritën vlerën e 94 milionë eurove ose 81% më shumë krahasuar me vitin 2019. Sipërmarrjet më të rëndësishme turke në Shqipëri janë grupi Çalik, përmes Bankës Kombëtare Tregtare dhe Albtelecom, kompania e prodhimit të çelikut dhe energjisë Kurum, kompania e ndërtimit Limak dhe ajo energjetikës Ayen Enerji.

Rritje të ndjeshme vitin e kaluar shënuan edhe investimet austriake, që arritën në 73 milionë euro, 70% më shumë krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, me grupet Uniqa dhe Vienna Insurance Group dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Strabag./ Monitor.al

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.